Rama: Shqipëria që duam bëhet vetëm me reforma

12.11.2017 17:20:23

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria e tij do të kujdeset për infrastrukturën dhe ndërtimin e rrugëve në 4-vjeçarin e ardhshëm të mandatit.

Gjatë “Komunikimit Javor”, ai ka thënë se Shqipëria që duam do të bëhet realitet, pavarësisht se kazani i gënjeshtrave të politikës zien çdo ditë.

“Kazani i politikës vazhdon të ziejë me gënjeshtra e shpifje, ndërkohë që shqiptarët duan mirëqenie dhe punësim. Askujt nuk i duhen akuzat dhe shpifjet, por këto nuk do të na pengojnë ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, ashtu siç e duam. – U deshën shuma hapa për ta bërë të mundur nisjen e Rrugës së Arbrit, ama ajo ditë erdhi, jo si të tjerët. Ndryshimet e vërteta bëhen me punë, duan durim, kohë dhe kanë vështirësi, shumë do bëjmë më tepër akoma me këto 4 vite që kemi para”.

Rama theksoi se qeveria ka një program që do të nisë jo vetëm Rrugën e Arbrit, por edhe rrugë të tjera kombëtare.

“Në 27 vite demokraci, ndriçohet vetëm aksi Rinas-Tiranë, ndërsa Rruga e Arbrit është një nga premtimet e pambajtura të politikës së vjetër. Ne do çojmë para rrugët e rilindjes urbane, në Theth e Kurvelesh, duke bërë diferencën mes të shkuarës pa shtet dhe të nesërmes me shtetin në krah. Kemi një program masiv investimesh. Rilindja urbane do të shkojë përtej qendrave urbane. Shqipëria që duam është një mundësi që e kemi ne në dorë, me punë, këmbëngulje, durim dhe natyrisht së bashku”, – përfundoi Rama.