Rama si Skënderbeu, i ofron mbrojtje Europës nga “hordhitë” ruse dhe xhihadiste… por ka edhe ca kushte

30.11.2016 16:09:57

E paska seriozisht! I është mbushur mendja tani, se mund të bëjë edhe Skënderbeun; të mbrojë Europën nga “hordhitë” ruse dhe fondamentalistët islamik.

Si ka mundësi që kryeministri i një vendi evropian, anëtar i NATO-së të katandiset në pozita kaq qesharake, vetëm e vetëm se kërkon të jetë në krye të vendit edhe 4 vite të tjera?

U duk fillimisht, se ajo që artikuloi për “Aktorin 3” në takimin me kancelaren Merkel ishte thjesht një përpëlitje momentale, pas shuplakës që mori live. Por ai ashtu siç e ka zakon, vazhdon të këmbëngulë se Europa do ta ketë pisk punën, nëse nuk i jep një dorë të mirë “liderit ballkanik”, për të fituar edhe zgjedhjet që vijnë.

Sot me plotë gojë i ka deklaruar gazetës Frankfurter Allgemeiner Zeitung”, se është në interesin e BE-së që të  që të “sillet mirë” me qeverinë e tij, përndryshe ajo rrezikohet seriozisht nga “pushtimi” rus dhe terroristët islamik.

“Nëse duam të kemi një BE të sigurt dhe të qëndrueshme, nuk është mirë që të krijohen vrima. Përveç kësaj, nuk do të harrojmë se ka aktorë të tretë, që po luajnë lojën e tyre dhe që mund të përfitojnë nëse BE lë një vakuum këtu. Po flas për Rusinë, por po flas edhe për Islamin Radikal,deklaron “Skënderbeu” i ri që në vend të shpatës, në njërën dorë mban penelin që qëndis shkarravinat, në tjetrën stilolapsin që firmos koncesionet.

Me pak fjalë kryeministri i një vendi që rivalizon me Sirinë  (është në mes të një lufte të egër) për sa i përket numrit të atyre që ja mbathin nga vendi i vet, do që “të kemi një BE të sigurt dhe të qëndrueshme”.

Po çfarë kërkon ai si shkëmbim të kësaj mbrojtje epike, që i ofron Europës?

Së pari; “Skënderbeu nr.2” pranon që Europa ta pranojë në gjirin e saj, por me kusht që të shpallë një amnisti të përjetshme për Roshin e kompani.

Së dyti; ai do që zgjedhjet e Dibrës të jenë modeli jo vetëm i zgjedhjeve të vitit që vjen, por mundësisht edhe atyre që do bëhen në vitin 2021.

Së treti; “Skënderbeu” i ri kërkon nga BE-ja, që të mos e pengojë në reformat e mëdha që ka nisur, siç janë koncesionet në shëndetësi përshembull, ku edhe të vdekurit dalin me shëndet të plotë, ose në ndonjë rast me pak ftohje.

Së katërti; “Lideri Ballkanik” kërkon, që për Vettingun apo çdo gjë tjetër që nuk ecën sipas planeve të tij, të fajësohet Lulëzim Basha (Berisha është për përdorim të brendshëm).

Dhe së pesti dhe më e rëndësishmja; Europa, duhet të shpallë armik çdo portal e media, shqiptare a ku do që të jetë, apo edhe eurodeputet që pretendojnë dhe mashtronë, se në Shqipëri lulëzon kultivimi dhe trafikimi i kanabisit.

Pra me pak fjalë, duke parë rrezikun e tmerrshëm që i kanoset aktualisht Europës, është kryeministri ynë që ka të drejtën ti vërë kushte Europës, dhe jo ajo atij siç kujton shumëkush. Sepse siç deklaroi edhe sot për gazetën e madhe gjermane; “Në këtë kohë ne jemi politikisht në formë të mirë, por BE nuk është”.

Tani Europës i ngelet vetëm të zgjedh; Ose Ramën-Skënderbe me kushtet e “vockla” që i ka venë, ose “pushtimin” rus dhe të hordhive të ISIS…