Rama zotohet për zhdukjen e drogës deri në fund të vitit

07.07.2017 20:47:32

Rama paralajmëroi ndëshkime ndaj çdokujt që shfaqet pasiv në luftën kundër kanabisit

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Zyrën Operacionale të Luftës Kundër kanabisit, nga ku u shpreh i bindur se fundi i këtij viti do shënojë mbylljen e kapitullit të kultivimit të kanabisit, nëse vazhdohet të zbatohet plani kombëtar. Sipas tij, të dhënat janë inkurajuese për të bërë që operacioni t’i japë fund kësaj historie.

“Nëse do vazhdohet më këtë vendosmëri dhe këtë ritëm e vëzhgim të hollësishëm të përditshëm, me siguri që në fund të sezonit mund të themi me plot gojë: ia dolëm ta përmbysur situatën e të vendosim fjalën fund në kultivimin e kanabisit”, tha Rama.

Në mungesë të ministrit teknik të Brendshëm, Rama paralajmëroi ndëshkime ndaj çdokujt që shfaqet pasiv në luftën kundër kanabisit.

“Kjo është një luftë e cila nuk mbyllet njësoj si mbyllet historia e një sëmundjeje pas një operacioni. Por ajo që jemi të vendosur është që ta fshijmë njollën që i ka mbetur Shqipërisë nga kjo histori shumëvjeçare”, theksoi ai.

Rol të rëndësishëm në luftën kundër kanabisit, luan edhe Guardia di Finanza.

“Fushata e kontrollit ajror që është në vitin e 6-të të saj është duke u zhvilluar rregullisht. Këtë vit oraret e fluturimit do të jenë pothuajse 30% më shumë se viti 2016, duke kaluar nga 105 në  129 orë fluturime. Tani që ne jemi duke biseduar avioni ynë po fluturon në rajonin e Shkodrës. Laboratori i analizave të të dhënave, të marra gjatë fluturimeve është plotësisht operativ dhe këtë vit, për herë të parë është pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit këtu në Tiranë”, shtoi Rama.

Në fund të takimit, Rama kërkoi zhvillimin e takimeve periodike të Zyrës Operacionale, për të vlerësuar ecurinë e eliminimit tërësor të kultivimit të kanabisit në Shqipëri.