Ramush Haradinaj i penduar që la karrigen e kryeministrit, kthehet pa zhurmë në zyrën e tij

26.07.2019 11:07:35

Nga Haga, Haradianj planifikoi që sot me fillim prej orës 14:00 do të mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë, mbledhje kjo që po cilësohet antikushtetuese.

Sot, një javë pas dorëheqjes, kryeministri në largim është kthyer në zyrën e tij, për të vazhduar punën aty ku e ka lënë.

Ai mbëmë pas mbërriti në Kosovës ka thënë se pafajësinë e tij nuk mund ta vë në pikëpyetje askush.

”I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë”.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj. Na priftë e mbara!”, ka shkruar ai në Facebook.

Nnga ana tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë të enjten për lajmi.net, se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, mund të thërras mbledhje të Qeverisë vetëm për punë administrative dhe teknike, por jo edhe të marrë vendime.

“Ai mund të mbajë mbledhje të Qeverisë për punë teknike administrative, por vendime, pra të marrë vendimmarrje është diskutabile nëse gjykohet në bazë të dispozitave të nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Qeveria me dorëheqjen e kryeministrit bie Qeveria dhe nëse një Qeveri e rënë merr vendime valide brenda mandatit sikur është brenda mandatit, është diçka që në pikëpamje kushtetuese-juridike është diskutabile. Duhet të analizojnë mirë ata dhe më pas duhet t’i sqarojnë ato veprime të tyre. Është punë e tyre se çfarë bënë kabineti qeveritar dhe kryeministri tashmë i dorëhequr në mënyrë të parevokueshme, por në aspektin kushtetues-juridik çdo aktivitet i njëjtë me atë të para dorëheqjes është diskutabil në aspektin kushtetues-juridik”, ka sqaruar Baraliu

Tutje Baraliu ka thënë se secili institucion duhet të veprojë brenda kornizave kushtetuese dhe juridike pasi që vendit tonë i mungon Ligji i Qeverisë dhe në mungesë të këtij ligji, duhet të respektohen dispozitat kushtetues e ligjore.

Ai për lajmi.net, e theksoi edhe një herë se Qeveria e Kosovës me dorëheqjen e parevokueshme të Haradinajt, tashmë është jashtë funksionit kushtetues dhe mandatues dhe në këtë mënyrë nuk mund të marrë vendime.

“Secili institucion duhet të veprojë brenda kornizave dhe autorizimeve që ka brenda mandatit kushtetues-juridik dhe në bazë të Ligjit të Qeverisë. Është dashur ta kemi një Ligj të Qeverisë ku do të duhej të caktoheshin këto gjëra. Asnjë Qeveri përpara kësaj Qeverie që tashmë është e rënë dhe as kjo Qeveri nuk e ka përfunduar Ligjin për Qeverinë, e ka nisur por nuk e kanë përfunduar nuk e ka dorëzuar në Kuvend, nuk e ka miratuar Kuvendi Ligjin për Qeveri dhe prandaj duhet norma kushtetuese që përmenda më sipër të respektohet dhe kjo Qeveri ta dijë që është Qeveri e rënë, pra qeveri që ka rënë dhe nuk është në funksion kushtetues, mandatues pra brenda mandatit por është e rënë dhe në dorëheqje. Praktikisht ajo ka të drejtë të kryej punë tekniko-administrative, por jo të marrë vendime”, theksoi Baraliu.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 95, Pika 5, thotë: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Theksojmë se në bazë të dokumentit që është bërë publik në medie, një ndër pikat e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për emërimin e anëtarëve në Bordin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (MIT).

Të gjitha pikat e rendit të ditës për mbledhjen janë vendimmarrëse dhe në këtë mënyrë, Haradinaj është duke bërë shkelje ligjore e kushtetuese.

Pas thirrjes së Haradinaj për mbajtjen e mbledhjes së nesërme kanë reaguar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duke e quajtur si vendim skandaloz dhe antikushtetues.

Ndryshe, të premten e kaluar Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit pas ftesës që i është bërë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Ndërkaq, të mërkurën në Hagë është intervistuar nga përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara mirëpo, Haradinaj ka pranuar që të mbrohet në heshtje.