Shqipëri/ Zgjedhjet e 30 qershorit, Gjykata rrëzon padinë e Voltana Ademit

26.07.2019 10:58:01

Gjykata e Shkodrës rrëzon kërkesë-padinë e kryebashkiakes Voltana Ademi për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas padisë së saj, zgjedhjet kanë qenë në paligjshmëri dhe në shkelje të dekretit presidencial, kërkesë që nuk është pranuar nga Gjykata.

Në fakt, Gjykata ka marrë në shqyrtim mandatin e të zgjedhurit Valdin Pjetri, por brenda çështjes është gjykuar edhe pretendimi i Ademit, e cila kërkonte që të mos merrej vendim pro Pjetrit, si i zgjedhur në krye të Bashkisë.

Gjykata vlerësoi të gjithë dokumentacionin dhe i dha mandatin Pjetrit, që duhet thënë se është hera e parë në historinë pluraliste të Shqipërisë që Bashkia e Shkodrës drejtohej nga një përfaqësues i së majtës.


Vetë Voltana Ademi ka qenë e ashpër në qëndrimet e saj, shpesh edhe në takimet me Bashën. Ajo ka deklaruar se nuk do ta lirojë zyrën, deri në momentin kur të ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e Metës, nëse ka qenë apo jo në përputhje me Kushtetutën.
Gjithsesi, sipas ligjit për “Qeverisjen vendore”, të gjithë të zgjedhurit kryetarë apo anëtarë të këshillave bashkiakë deri në datën 12 gusht duhet të marrin mandatet.