Raporti evropian për drogën: Shqipëria ndër prodhuesit kryesorë në Evropë

06.06.2017 16:38:55
Raporti Europian për Drogën i vitit 2017 e konsideron Shqipërinë si një prej prodhuesve më të mëdhenj të drogës që trafikohet në Europë. Raporti konstaton rritje të vazhdueshme të drogës së prodhuar dhe të trafikuar nga Shqipëria drejt vendeve europiane.
Shqipëria vijon të jetë një ndër prodhuesit kryesorë të drogës që furnizon tregjet ilegale të lëndëve narkotike në Europë. Konstatimi vjen në raportin Drogën në Europë për vitin 2017, hartuar nga Qendra Europiane për Monitorimin e Lëndëve Narkotike dhe Varësisë ndaj saj.
Raporti konstaton rritje të vazhdueshme të trafikimit të drogës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti nga Shqipëria. Vendi ynë – është një prej kultivuesve kryesore të hashashit e marjuanës por sidomos edhe i vajit të kanabisit.
Gjatë vitit 2015 – thuhet në raport – në të gjithë Europën u kapën 135 tonë kanabis, një rënie me 38% krahasuar me vitin pararendës 2014. Rënie e sasisë së drogës së kapur u vu re veçanërisht në pikat kryesore hyrëse të drogës në Europë, si Belgjikë, Greqi e Itali. Në rënien e sasisë së trafikuar dhe të kapur nga autoritetet kanë ndikuar veçanërisht nismat në shkallë të gjerë kundër kultivimit të drogës në vendet prodhuese jashtë Bashkimit Europian, si Shqipëria – thuhet më tej në raport.
Pas publikimit të këtij raporti, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, reagoi përmes një deklarate për shtyp. Ai shprehu angazhimin për të nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Njoftoi gjithashtu se ka nisur komunikimet intensive  jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si Shërbimin Informativ, Prokurorinë e Përgjithshëm dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për një reagim më të koordinuar kundër këtij fenomeni në zbatim edhe të planit të veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit për periudhën 2017–2020.