Raportohet për grusht-shtet në Sudan

25.10.2021 11:06:10

Në Sudan raportohet për një grusht shtet ushtarak pasi disa anëtarë të qeverisë kalimtare dhe udhëheqës tjerë civilë janë arrestuar.

Raportohet se në mesin e zyrtarëve që janë vënë në arrest shtëpiak është edhe kryeministri, Abdallah Hamdok.

“Ata janë çuar në një vend të paidentifikuar”, tha në një komunikatë Ministria e Informacionit. Ushtria ende nuk i ka komentuar këto zhvillime, por grupet pro-demokracisë kanë bërë thirrje për protesta në rrugë.

Ministria tha se kryeministri Hamdok është nën presion për të mbështetur një grusht shteti, por po refuzonte ta bënte këtë dhe iu kërkoi njerëzve të vazhdonin me protesta paqësore për të “mbrojtur revolucionin”.

Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të alarmuara” me raportet nga Sudani tha i dërguari i posaçëm, Jeffrey Feltman.

Dëshmitarët kanë thënë se në kryeqytetin Kartum është ndërprerë internet, ndërsa në rrjetet sociale janë shfaqur imazhe që tregojnë turma të zemëruara duke djegur goma në rrugë.

Ushtria dhe njësitë paraushtarake janë vendosur në të gjithë qytetin, duke kufizuar lëvizjen e civilëve, citohet të ketë thënë një dëshmitar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Aeroporti i Kartumit është i mbyllur dhe fluturimet ndërkombëtare janë pezulluar.

Grupi kryesor pro-demokratik i Sudanit u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të rezistojnë çdo grusht shteti ushtarak.

Udhëheqësit ushtarakë dhe civilë kanë qenë në mosmarrëveshje që kur sundimtari Omar al-Bashir u rrëzua nga pushteti dy vjet më parë dhe u krijua qeveria kalimtare.

Një marrëveshje për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe një koalicioni të forcave politike – Forcat për Liri dhe Ndryshim (FFC) – ishte rënë dakord, duke krijuar Këshillin Sovran të Sudanit.

Ai duhej të sundonte vendin edhe për një vit tjetër deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe kalimin në sundim civil.

Por, gjithmonë ka pasur mosmarrëveshje politike për shkak të ndasive brenda grupeve politike rivale – dhe brenda vetë ushtrisë.

Tensionet u rritën edhe më shumë për shkak të një përpjekjeje për grusht shteti të dështuar në shtator që iu atribua pasuesve të Omar al-Bashirit.

Këtë muaj, kundërshtarët e tranzicionit të Sudanit drejt demokracisë dolën në rrugët e kryeqytetit, Kartum, për t’i bërë thirrje ushtrisë që të marrë kontrollin e vendit.

Grupet pro-demokracisë thanë se protestat ishin një përpjekje e organizuar nga ushtria për të rimarrë pushtetin.

Të enjten e kaluar, dhjetëra mijëra njerëz demonstruan në Kartum për të treguar solidaritet me qeverinë tranzitore.

Mbështetja për qeverinë e përkohshme ka rënë në muajt e fundit pasi ka pasur krizë ekonomike.

Që kur u pavarësua më 1956, Sudani ende nuk ka arritur të gjejë një sistem politik funksional duke u përballur me disa grusht-shtete.