Reagim: Ben Blushi çlirohu nga ideologjia pansllaviste që ka ndarë shqiptarët në “albanci” dhe në “shiftari”!

20.08.2016 11:14:17

Nga Rexhep Kastrati

une

Ben Blushi, në stilin e tij letrar dhe me aluzione metaforike e inkuadroi veten në debatin që po bëhet lidhur me raportet ndërmjet shqiptarëve të pjesëve të ndryshme të hapisësirës shqiptare në rajon. Dhe siç di të bëjë ai, këtë e bën mrekullisht keq, dhe si një adoleshent i doracakëve të mendimit fillestar socio-historik, socio-politik e socio-letrar. Në shkrimin e tij “Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria”, Beni i Kiços, duke dashur që të lavdërojë shqiptarët e Kosovës, të cilët në asnjë rast nuk i quan shqiptarë, por vazhdimisht i quan kosovarë, vë në spikamë disa elemente që i shquajnë sivëllezërit e tij në Kosovë. Elementet kryesore që ai i shqaun janë elemente socio-letrarë, duke ua njohur shkrimtarëve të Kosovës epërsinë në këtë fushë, duke qenë pjesërisht i saktë, pasi që shkrimtarët shqiptarë në disa gjini letrare vërtet janë më të avancuar sesa shqiptarët në shtetin shqiptar, kurse në disa gjini të tjera janë shkrimtarët e shtetit shqiptar që janë më të avancuar. Mirëpo, Ben Blushi sikur harron se është një letërsi shqiptare, dhe paraqet letërsinë e krijuar në shtetin shqiptar dhe letërsinë që krijohet në Kosovë si të ishin dy letërsi të veçanta. Dhe ky është shërbimi më i keq që ia bën vetë letërsisë, por edhe kombit shqiptar, sepse mbi këtë bazë ngre edhe tezat e tjera që të gjitha çojnë drejt ndarjes së dy pjesëve të kombit në shqiptarë dhe në kosovarë. Dhe në këtë kontekst, ai lëshon klithmën e pavarësimit të Kosovës nga shteti shqiptar, pasi që nga Serbia është pavarësuar. Vënia në të njëjtën diagonale të Serbisë dhe shtetit shqiptar, është një tezë e rrezikshme dhe kundërkombëtare, sepse një shtet pushtues, të udhëhequr nga ideologji shoveniste dhe hegjemoniste, kundërshqiptare deri në fund,nga i cili shqiptarët kanë përjetuar masakra dhe gjenocide të vazhdueshme, përvetësime territoresh, me shtetin shqiptar, i cili edhe kur është krijuar si i tillë, është krijuar me kontributin e kombit shqiptar në përgjithësi, me shpresën e palëkundur dhe të pazbehur se një ditë do të jetë shtet tamam e jo shtet torzo siç është tash dhe i rrethuar në të gjitha anët me pjesë dhe gjymtyrë të trupit të tij. Blushi i Kiços që mbeti Beni tipik i shkollës dhe i mendësisë përçarëse të kombit, e frymëzuar nga ideologjia pansllaviste me qendër në Moskë, sikur ka harruar se arsyeja kryesore e luftës së shqiptarëve, ëndrra e shqiptarëve, shpresa e tyre, motivi i tyre ka qenë dhe ka mbetur bashkimi kombëtar, jo siç thotë Albini, duke e ndarë më tej atë, por siç ka thënë presdienti Rugova. Presidenti Rugova, qysh më 1991 u është kundërvënë tezave për dy ideologji të ndryshme të shqiptarëve andej dhe këndej kufirit, teza që kanë marr zjarr edhe në shkrimin e Ben Blushit, si dhe ka këshilluar që për bashkimin të punohet ngadalë “Një here për një hPra, presdenti Rugovaere, duhet te njihemi, te shihemi, e pastaj t’i realizojmë kërkesat tona, edhe pse na është thënë se në të dy anet e kufirit, kemi edhe pikepamje te kundërta ideologjike. Por, këto ishin vetem shpifje e gënjeshtra qe iu doli boja, sepse nuk është e mundur që një popull të kete dy ideologji, më një fjale Shqiptaret duhet të bëjne përpjekje që të ndihen të lire ne te gjitha hapesirat Shqiptare, duhet të punojne vazhdimisht per zgjidhjen e tyre Kombëtare.” Pra presdinti Rugova qysh në fillim ka treguar rrugën apo strategjinë e bashkimit kombëtar, dhe u ka dhënë përgjigje të gjithë atyre që mendonin se ndërmjet dy pjesëve të kombit shqiptar ka ideologji të ndryshme, në kuptimin e idnetitetit dhe qenësisë së tyre kombëtare. Dhe kjo përgjigje është aktuale sidomos tash qoftë edhe për qasjen e Ben Blushit, qoftë edhe të të tjerëve, që nga pozita intelektuale dhe politike afirmojnë teza kundërshqiptare të arealit sllavo-ortodoks dhe aleatëve të tyre. Në fakt është për të ardhur keq që teza të tilla shpërfaqin edhe qarqe intelektuale dhe shkencore, sepse kjo tregon se sa mendje të robëruar, siç do të thoshte Martin Shlegel, kanë ende nga ideologjia pansllaviste që e udhëhoqi shtetin shqiptar për një gjysëmshekulli. Dhe çlirimi i vërtetë i shqiptarëve do të ndodhë kur të çlirohen pikërisht nga ideologjia pansllaviste që pjesët e ndryshme të kombit shqiptar i ka ndarë edhe me emra: “albanci”, “shiftari”, duke synuar pikërisht këtë që po synojnë me vetëdije apo pa të, me qëllim apo pa qëllim ta bëjnë mbështetësit e tezës për shqiptarët dhe për kosovarët, pra për ndarjen e kombit shqiptar në dy pjesë: në shqiptarë dhe në kosovarë. Edhe në këtë kontekst, presidenti Rugova ka qenë i vetëdijshëm se institucionet shkencore nuk kanë bërë gjë për ta shpjeguar si duhet çështjen shqiptare dhe çështjen e bashkimit kombëtar. Pasi bashkimin kombëtar e quan çështje të shkencës, presidenti Rugova ka thënë shqip: “Shkenca vazhdimisht le ta elaborojë këtë në mënyrë që politikës t’i krijohet mundësi më e madhe, të ndahen disa gjëra dhe ta ndihmojnë njëra-tjetrën, sepse ne për fat të keq, këtë çeshtje nuk e kemi pasur as temë të shkencës, bile mund të thuhet as andej, as kendej. As akademitë, as institutet, as universitetet nuk e kanë trajtuar në masë të duhur këtë çeshtje.”.  Dhe debatet që kanë shpërthyer, edhe të nivelit intelektual, po i japin plotësisht të drejtë presdientit Rugova, duke dëshmuar kështu jo vetëm thellësinë, qartësinë dhe saktësinë e mendimit politik kombëtar të tij, por edhe për të kuptuar sesa ka qenë e domosdoshëm trajtimi shkencor i çështjes së bashkimit kombëtar. E në vend të kësaj, na dalin margaritarë që në vend se të trajtojnë drejtë këtë çështje, e çoroditin edhe më shumë: të kërkosh pavarësinë e Kosovës nga shteti shqiptar, edhe në kuptimin e mosinterferimit dhe të paternalizmit, dhe këtë ta vësh në një vijë me pavarësinë e Kosovës nga Serbia, është dëm i madh, shumë i madh intelektual, shkencor dhe komëtar. Shqiptarët kanë synuar çlirimin nga Serbia për t’u bashkuar me shtetin shqiptar, e jo për t’u larguar nga ai. Shqiptarët janë një komb, nuk bëhen dot dy, tre, katër, e së këndejmi edhe synimi për bashkim është i ligjshëm.