Reagon MASHT: Ministri Bajrami ka një shofer

02.08.2016 17:36:53

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një njoftimi ka reaguar se lajmi i publikuar dje “Gati 5 mijë euro për uniformat e shoferëve të Arsim Bajramit”, nuk është i saktë.

Sipas reagimit, ministri Bajrami ka vetëm një shofer, mandati i të cilit është i lidhur me atë të ministrit.

Ndryshe, është bërë e ditur se Divizioni për Shërbime Logjistike i MASHT-it ka një numër të vozitësve të caktuar me organogram dhe për të cilët është bërë kërkesë e bazuar n buxhetin e planifikuar dhe Planin e Punës së Departamentit.

Por, sqaron tutje reagimi i MASHT, se javën e kaluar ka marrë vendim për anulimin e kësaj procedure, me qëllim të verifikimit të ligjshmërisë së zhvillimit të procedurës së këtij aktiviteti, ndërsa edhe në vitin 2015 nuk ka lejuar shpenzimin e mjeteve për këtë qëllim.