Realizohet fluturimi i parë Prishtinë-Paris nga aeroporti “Adem Jashari”

01.10.2016 20:51:36
Sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, u inaugurua fluturimi i parë Prishtinë-Paris me kompaninë ajrore EasyJet.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ambasadori i Kosovës në Francë, Qendrim Gashi, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, si dhe ministri i Diasporës, Valon Murati.

“Me anë të programit stimulues qe u dedikohet kompanive ajrore, kemi arritur që brenda një kohe mjaft të shkurtër të shtojmë disa linja të reja ajrore dhe t’i forcojmë ato ekzistuese. Me formimin e këtyre lidhjeve, ne po tentojmë që t’u japim mundësi më të shumta udhëtarëve tanë, numri i të cilëve po rritet në vazhdimësi. Kjo është një linjë e rëndësishme që lidh Kosovën me njërën ndër kryeqendrat më të rëndësishme evropiane, Parisin”, ka thënë drejtori gjeneral i ANP “Adem Jashari”, Haldun Kokturk.

Gjatë këtij muaji easyJet do të fluturojë nga Prishtina për në Paris një herë në javë, të Shtunave, ndërsa që nga 2 Nëntori do të ketë dy fluturime në javë, të Mërkurave dhe të Shtunave.