Refreni i kukumave shetit nëpër glob/Vargje nga Dije Lohaj

15.11.2020 15:02:35
REFRENI I KUKUMAVE SHËTIT NËPËR GLOB
Zgjohemi të trishtuar
Në trishtimin tonē,
Si dallgët kur shashtisen detit,
E belbëzojmë edhe përrallën e re,
E biem si gjethe vjeshte në gjunjë,
E nuk na mbyt mëkati
Se s’pranojmë faljen
E nuk na mbyt ndërgjegjja
Se pranojmë mashtrimin.
Biem si gjethe vjeshte
Në gjunjë e falemi,
Biem në gjunjë
E thërrasim Zotin e Allahun,
Në trungjet e thara
Marrim trajtën e tyre,
Kundër qenies njerëzore,
Në tinguj të thatësisë,
Këndojmë këngët e plumbave,
E na tretet shpirti baladave,
I trishtuar në hirin e hirtë.
E kambanat e ikjes
Prehen nëpër tehet e thikave moderne,
Ndërsa në shkretëtirën e qenies sonë Shkretërojnë hijet,
E shpirti i botës zgjohet nga gjumi,
Përkundur shekujve,
Kur gjaku i ri pik elegjive të reja,
E fosforet fosforojnë muranave,
Lapidarëve u dridhën këmbët,
Edhe lisave,
Me refrenin e kukamës së kukuvajkave,
Duke shëtitur nëpër glob.