Kush janë Prokurorët që po hetojnë ish-pjesëtarët e UÇK-së

15.11.2020 14:48:27

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit si dhe Salih Mustafës. Këta akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hetimet ndaj këtyre ish-pjesëtareve të UÇK-së, i ka kryer një grup prokurorësh me karrierë të gjatë në hetime penale, sidomos krime të luftës, krime kundër njerëzimit, si dhe veprave të tjera penale që lidhen me korrupsionin dhe trafikimin me njerëz.

Disa prej prokurorëve që janë paraqitur deri më tani në gjykatore kanë punuar më parë në Kosovë. Disa prej tyre kanë hetuar ish-pjesëtarë të UÇK-së për afera korruptive, si dhe vrasje.

Por, kush janë këta prokurorë?

Jack Smith

Prokuror i Specializuar

Jack Smith u emëruar në postin e Prokurorit të Specializuar në shtator të vitit 2018.

Jack Smith gjatë seancës ku Kadri Veseli bëri paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara.
Jack Smith gjatë seancës ku Kadri Veseli bëri paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara.
Smith ka një karrierë të gjatë në hetimin e krimeve të profilit të lartë politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga viti 2008 deri më 2010, Smith ishte koordinator për hetime në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Në këtë pozitë, ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive të ndryshme dhe të milicisë, për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Nga 2010-2015 drejtoi seksionin për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ku mbikëqyri procedimin e çështjeve të ndërlikuara për korrupsion publik anembanë Shteteve të Bashkuara.

Prej 2015 deri 2017 veproi si ndihmësprokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në Tenësi.

Derisa punonte në Uashington, Smith mbikëqyri çështjet e korrupsionit kundër ish-guvernatorit të Virxhinias, Bob McDonnell, ish-anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Rick Renzi, dhe kryetarit të Asamblesë së Nju Jorkut, Sheldon Silver.

Alex Whiting

Zëvendës i Prokurorit të Specializuar

Whiting është shef i hetimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ka një përvojë të gjatë në fushën e ndjekjeve penale duke përfshirë periudhën e punës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Tribunalin Penal Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë.

Whiting ka hetuar edhe më herët ish-pjesëtarët e UÇK-së. Këtë e ka bërë nga viti 2002 deri më 2007 ku ishte prokuror kryesor në rastin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt, Isak Musliut, dhe Haradin Balajt.

Po ashtu, në kuadër të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Whiting, ishte prokuror kryesor edhe në rastin ndaj ish-liderit të serbëve të Kroacisë, Millan Martiq dhe Dragomir Millosheviqit, i dënuar me 35 vjet për bombardimin e Sarajevës.

Në SHBA, Whiting ka mbajtur pozita të rëndësishme ku kryesisht ka hetuar çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Alan Tieger

Prokuror kryesor në rastin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi.

Alan Tieger është Prokuror i lartë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me shtetësi amerikane dhe përvojë të gjerë si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.

Tieger është marrë me hetimin e krimeve në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Ka qenë prokuror kryesor në raste shumë të rëndësishme në proceset gjyqësore ndaj gjeneralit kroat, Ante Gotovina, liderit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiqit, Momçillo Krajishnikut, Darko Mërgjas dhe Biljana Pllavshiqit.

Po ashtu, Tieger ka qenë i përfshirë në gjykimin e rastit të Dushko Tadiqit si dhe në çështjen gjyqësore të Ratko Mlladiqit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm.

Tieger ka punuar po ashtu si prokuror federal në Seksionin Penal të të Drejtave Civile në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara nga viti 1987 deri më 1994, ku procedoi çështje të dhunës racore dhe brutalitetit policor në të gjithë vendin.

Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi?

Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Prokuroria pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.

Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës – LDK dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

David Harbach

Prokuror

Harbach u pjesë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në shtator të vitit 2019, ku ushtron pozitën e prokurorit.

Ai ka një karrierë të gjatë të punës në SHBA.

Një prej pozitave të tij më të rëndësishme është ajo e Prokurorit në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu, në vitet 2014 dhe 2015 ka qenë këshilltar i Posaçëm i Drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve – (FBI) në Uashington.

Valeria Bolici

Prokurore në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Për disa vjet, Bolici ka punuar për Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – (EULEX).

Ajo njihet sidomos për rastin gjyqësor të njohur si “Medicus”, ku të dyshuarit akuzoheshin për trafikim me qenie njerëzore, krim të organizuar dhe lëndim të rëndë trupor.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku më pas u transferuan në qendrën e ndalimit në Hagë.

Gucati e Haradinaj akuzohen “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Cezary Michalczuk

Prokuror në rastin Salih Mustafa

Prokurori Cezary Michalczuk është i njohur për publikun kosovar, pasi ka punuar për Misionin Evropian për Sundim të Ligjit – (EULEX).

Michalczuk ishte prokuror në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës” ku të akuzuar ishin Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Jahir Demaku dhe Avni Zabeli.

Në këtë rast, Michalczuk udhëhoqi hetimet pas largimit të prokurorit italian, Maurizio Salustro.

Michalczuk ka udhëhequr hetimet për dyshimet për korrupsion lidhur me kompaninë publike Korporata Energjetike e Kosovës – (KEK), si dhe ngriti aktakuzën ndaj ish-prokurorit Special të Kosovës, Nazmi Mustafi, në vitin 2012.

Andrew Carney

Prokuror

Andrew Carney, po ashtu, ka qenë pjesë e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit – (EULEX).

Carney, sa ishte prokuror i EULEX-it, arriti që ta dërgonte para gjykatës Enver Sekiraqën, i cili u akuza për shtytje në vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza.

Këtë rast, Carney e trashëgoi nga një koleg i tij, porse pavarësisht kësaj, arriti që ta bindë gjykatën se Sekiraqa ka shtyrë një person për të vrarë policin Riza.

Gjykata Speciale në Hagë

Në gjykimin e parë, Riza u dënua me 37 vjet burgim. Ky rast më vonë shkoi në rigjykim dhe Sekiraqa u dënua me 30 vjet burgim.

Silvia D’Ascoli

Prokurore

D’Ascoli është juriste italiane dhe prokurore në fushën penale ndërkombëtare.

Nga viti 2007 deri 2016, ka punuar në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, si dhe ka qenë e përfshirë në hetimet ndaj gjeneralit serb, Ratko Mlladiq.

Përveç këtyre prokurorëve, në kuadër të Prokurorisë së Specializuar ka edhe prokurorë të tjerë, mirëpo ata ende nuk janë paraqitur para gjykatës.

Avokatët e ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Deri më tani Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, si dhe Salih Mustafën.

Këta ish-pjesëtarë të UÇK-së, kanë angazhuar avokatë mbrojtës që kanë një karrierë të gjatë, sidomos në fushën e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Këta avokatë kanë fituar raste të njohura që lidhen me krimet e luftës duke përfshirë gjenocidin në Ruandë, vrasjet në luftërat e hapësirave të ish-Jugosllavisë, si dhe krimet lufte të kryera në vende të ndryshme të botës.

Ndër avokatët më të njohur që kanë angazhuar ish-pjesëtarët e UÇK-së janë ai i ish-presidentit Hashim Thaçi, amerikani Pierre – Richard Prosper, britaniku David Hooper, avokatët e Kadri Veselit, Ben Emmerson, Andrew Cayley, si dhe avokati i Rexhep Selimit, David Young./rel