Refuzimi i ankesës së Valdete Dakës nga Avokati Popullit, PDK kërkon dorëheqjen e këtij të fundit

22.11.2021 15:42:51

Partia Demokratike e Kosovës , ka kërkuar  dorëheqjen e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, pas refuzimit që ky i fundit i ka bërë ankesës së ish-kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valdete Daka kundër vendimit të Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj si kryesuese e KQZ-së.

Kështu u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Tahiri e quajti të turpshëm vendimin e Avokatit të Popullit, me të cilin ky i fundit kishte refuzuar ankesën e Dakës.

“Vlerësimet  e tij që presidentja ka pasur të drejtë në këtë çështje dhe z.Daka nuk ka të drejtë të ankohet janë të papranueshme. Nuk është Avokati i Popullit ai që duhet të vlerësoj kushtetutshmërinë e këtij akti. Avokati i Popullit është ai që i mbron të drejtat e njeriut, dhe në këtë rast do të duhej që rasti të dërgohej në gjykatën kushtetues. Nga sot atij veç avokat i popullit nuk mundemi me i thanë, atij mund t’i themi vetëm avokat i presidentes, avokat i Vjosa Osmanit. Unë nuk mendoj që ai e meriton me qëndru në atë pozitë, vlerësimet e tija janë të papranueshme. Vlerësimet se vendimi paska qenë në përputhje me Kushtetutën janë të papranueshme dhe mendoj se pas këtij akti të turpshëm, ai nuk do të duhej më qëndru në atë zyrë. Do t’i bënte nder edhe vetes edhe pozitës që me jep dorëheqje”, u shpreh Tahiri.

Tahiri tha paralajmëroi se nuk do të ndalë përpjekjet për të siguruar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve që lidhur me këtë vendim të Avokatit të Popullit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ani pse njëherë nuk kishte arritur t’i mbledhë.

“Kam pasur përpjekje të vazhdueshme dhe nuk kemi arritur dakordim. Unë nuk do të ndalem deri në ditët e fundit, sepse këtu kemi të bëjmë qartazi me shkelje kushtetuese. Nuk po e them vetëm si opozitë, këtë e ka thënë edhe Raporti i Progresit, prandaj deri në ditët e fundit do të merrem me këtë çështje”, shtoi ai.