Rënia e Alepos, Bushati: Njollë në ndërgjegjen e rrënuar ndërkombëtare

18.12.2016 19:46:43

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka reaguar pas rënies së Alepos në duar të regjimit të forcave qeveritare të Bashar al-Asadit.

Pas shpërnguljes së miliona njerëzve nga qyeti-rezistencë i konfliktit në Siri, Bushati ka fajësuar politikën ndërkombëtare që nuk mundi të ndalojë këtë katastrofë njerëzore.

Ai po ashtu akuzon edhe presidentin Asad, që sipas tij ka kryer një “shpopullim gjakësor” ndaj vendit të tij.

“Rënia e Halepit dhe shpopullimi gjakësor i orkestruar nga regjimini Bashar El Asad, janë një njollë më shumë në ndërgjegjen e rrënuar ndërkombëtare. Ndjenja e kompleksit prej gabimeve të së shkuarës, për fat të keq e ktheu “bashkësinë ndërkombëtare” në soditëse të një tragjedie njerëzore, e cila duhej parandaluar me çdo kusht, – shkruan Bushati në një postim të tij në “Facebook”. – Një prej qendrave të trashëgimisë së njerëzimit, siç është Halepi, u shkatërrua tërësisht, u vra shpirtërisht dhe u kthye në fushë-varrezë të luftërave dhe interesave eksplozive gjeopolitike”.

Bushati përpiqet të bëjë dhe një krahasim të luftës në Siri me konfliktet në rajonin e Ballkanit. “Ne në Ballkan e kemi provuar çmimin e lartë të pasivitetit ndaj përdorimit të forcës brutale që imponojnë regjime barbare. Plagët e krimeve të shkaktuara gjatë luftërave të Ballkanit janë ende të pashëruara. Sikundër tentativa gjithnjë e më e dukshme për të aplikuar të ashtuquajturën politikë të “sferës së influencave”, e cila synon destabilizimin e rajonit dhe frenimin e perspektivës së qartë euro-atlantike”.

Sipas ministrit të Jashtëm, “qysh në nisje të këtij konflikti, Shqipëria ka mbështetur çdo iniciativë të ndërmarrë nga vendet partnere për Sirinë. Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet për të garantuar sigurinë e popullsisë civile të bllokuar”.