Reportazh i New York Times nga veriu: Askush nuk thotë se Ivanoviq u vra nga shqiptarët

31.01.2018 20:43:32

Vetura pa targa, përmendorja e Car Llazarit nga njëra anë e Ibrit dhe xhamia nga ana tjetër, janë përshtypjet e gazetarit të prestigjiozes “New York Times” nga vizita në Kosovë, respektivisht në pjesën veriore të vendit.

Gazetari i “New York Times”, Marc Santor e ka vizituar manastirin Banjska në Kosovë kur presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ishte atje dhe e ka shkruar reportazhin.

“Kjo është një copë e parajsës në tokë. Kur jeni këtu, e ndjeni atë”, fillon teksti i Santorit me fjalët e priftit nga manastiri i Banjskës.

Përveç tjerash, në tekst përmendet edhe Beteja e Kosovës e viti 1389, e cila sic thuhet “është shumë e mitizuar dhe rreth saj ekzistojnë të dhëna kontradiktore historike”, shkruan lajmi.net.

“Ajo që është e njohur është se cari serb Lazari, është vrarë. Vdekja e tij u bë simbol i vajtjeve në këto anë”, shkruan Santor.

Gazetari shkruan edhe për vizitën e Millosheviqit më 28 qershor të vitit 1989 në Gazimestan, ku kishte mbërritur me helikopter. “Ai (Millosheviqi) bëri thirrje për armë ku më pas edhe u arrit qëllimi për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Ky spastrim u ndërpre pas 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999”, shkruan “New York Times”.

Tutje thuhet se dy dekada pasi që bombardimet ndihmuan në përfundimin e dhunës ndaj shqiptarëve dhe 10 vjet që kur Kosova u shpall e pavarur, ndarjet kanë mbetur.

“Në veri të Mitrovicës serbët janë shumicë, kurse shumë prej tyre edhe më tej thonë se nuk janë pjesë e Kosovës së sotme. Dëshirojnë të jenë pjesë e Serbisë, por ndjehen si piuan, pasi që Serbia kërkon anëtarësimin në BE dhe se Beogradi do të heqë dorë nga ata kur ajo ditë të vije”, shkruan NYT.

“Kjo ishte vizita ime e parë në Kosovë, udhëtim i shkurtër që ta përcjellë vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili erdhi që të flas me serbët pas vrasjes së politikanit të njohur serb nga Mitrovica. Vuçiqin e pritën qytetar të zemëruar të cilët i kërkuan edhe armë”, shkruan Santor.

Sipas fjalëve të tyre, qyteti është plot me pakënaqësi pasi që ish armiqtë janë afër.

“Secilën ditë dëgjohen lutjet nga xhamia në pjesën jugore të qytetit, përmes urës në lumit Ibër që e ndanë qytetin. Aty janë karabinierët italianë që kujdesen për paqen”, shkruan gazetari amerikan, transmeton lajmi.net.

“Është lehtë ta dini që po voziteni në pjesën e qytetit ku jetojnë serbët. Shumica e veturave nuk ka targa të regjistrimit ose kanë ato serb që Prishtina nuk i njeh. Fëmijët shkojnë ndaras në shkollë, njerëzit punojnë në fabrika të ndara, familjet hanë në restorante të ndara, kurse studentët në Universitetin e Mitrovicës marrin diploma që nuk i njeh qeveria e Kosovës”, shkruan Santor.

“Duke pasur parasysh të gjitha këto ndarje, e që ndoshta është shenjë e shpresës, pas vrasjes së politikanit lokal serb, Oliver Ivanoviq, askush nuk e ka drejtuar gishtin përtej lumit në drejtim të shqiptarëve. Në vend të kësaj, spekulohet se lufta e Ivanoviqit kundër grupeve kriminale në mesin e bashkësisë serbe ka çuar në vrasjen e tij”, shkruan “New York Times”.

Në tekst përmendet edhe deklarata e Ivanoviqit e dhënë pak para vrasjes ku ai thotë se frika e njerëzve atje është shumë e madhe, por jo nga shqiptarët, por nga serbët dhe se “policia vetëm i shikon dhe nuk bën asgjë”.