Qytetarët e Prishtinës protestojnë për ajër të pastër

31.01.2018 20:51:57

Disa qindra qytetarë të Prishtinës, me moton “Duam ajër të pastër”, kanë protestuar sot në sheshin “Skënderbeu” dhe para objektit të Kuvendit të Kosovës, me qëllim të sensibilizimit të opinionit dhe institucioneve të vendit për nivelin alarmant të cilësisë së ajrit në kryeqytet.

Ditët e fundit, cilësia e ajrit, sipas matjeve zyrtare, është e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës kanë marrë masa të caktuara, në përpjekje për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit.

Protestuesit në Prishtinë kanë vendosur para Kuvendit të Kosovës pankartat me mesazhe kundër ndotjes së ajrit.

“Helm”… “U ngufatëm”…”Kontrollo cilësinë e naftës”…” Ajër”,, ishin disa nga mesazhet nga parullat që mbanin në duar protestuesit.