Revoltohen veteranët, i kërkojnë pensionet

14.09.2016 09:57:54

Nuk ka fond për t’u paguar pensionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kjo deklaratë e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, e bërë të martën, ka revoltuar veteranët, duke nxitur mes tyre edhe kërkesën për organizimin e protestave.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se ende nuk janë siguruar mjetet e nevojshme për veteranët e luftës së fundit në Kosovë. Por, Hoti nuk ka dhënë më shumë hollësi se përse nuk janë siguruar këto mjete.

“Nuk i kemi siguruar mjetet për pensionet e veteranëve. Numri i tyre, dita-ditës po shtohet. Çështja e pagesës për veteranët është e lidhur me Fondin Monetar – FMN. Është e rëndësishme që ne të gjejmë një zgjidhje sa më parë, por tani për tani nuk ka mjete, janë vetëm 25 milionë euro, pra nuk ka më shumë”. Gjatë një konference për media në Doganën e Kosovës, ministri ka thënë se me trendin që është duke shkuar këto tre katër-muajt e fundit, mund të mbyllet viti me 38 mijë veteranë që të tërheqin pensionet e tyre.

 

“Dhe ky buxhet as për së afërmi nuk i plotëson nevojat për këtë kategori. Unë besoj që së shpejti do të ulemi dhe do të gjejmë një zgjidhje për këtë kategori. Është shumë e rëndësishme, është e lidhur çështja e pagesës së veteranëve me programin që e kemi me Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe jo vetëm kaq”, ka theksuar Hoti. Kjo deklaratë e ministrit është kundërshtuar nga përfaqësues të veteranëve.