Rexhep Selimi flet për akuzat e Haradinajt, i përgjigjet edhe Thaçit

05.04.2018 19:27:12
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u është kundërpërgjigjur edhe njëherë akuzave të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Selimi ka thënë se askush nuk i beson deklaratës së kryeministrit Haradinaj se ai nuk ka qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës.

 Ai bëri të ditur se është prekur shumë nga ato fjalë të Haradinajt, pasi nuk e kishte pritur një reagim të tillë nga ai.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, Selimi tha se nuk e ka të qartë për çfarë e kishte fjalën Haradinaj, kur tha se atij nuk i ka hyrë asnjë therë në këmbë pas luftës.

“Nuk qëndron mem thanë mu që s’jam kanë në Kosovë gjatë kohës së luftës. Këtë nuk e beson as rrethi i tyre familjar. Nuk e kuptoj çka ka thanë nuk të ka hy asnjë therë. Gjatë luftës kena ec nëpër thera, por këtë të pas luftës nuk e kuptova. Pasaktësia e tij më ka mërzitur shumë. Nuk jemi takuar nga ai rast, as nuk i kërkoj shpjegime. Nuk mund ta konsideroj njëjtë pas atij fjalori. Do t’i përgjigjem në mënyrën adekuate”, tha Selimi.

Ai madje u tallë kur u pyet për prezencën e tij në paraqitjen e parë publike të UÇK-së në Llaushë.

“Nuk ka ndodh paraqitja në Llaushë, por në kat të 15-të. Po i bie që ai moment paska qenë në katin e 15-të në Tiranë”, shtoi Selimi, i cili shpresonte se nuk po e tepronte me ironi.

Ai iu kundërpërgjigj edhe fjalëve të presidentit Hashim Thaçi, i cili ditë më parë në një konferencë për media tha se kryeministri Haradinaj e ka kursyer deputetin Selimi me akuza.

“Thaçi donte që akoma të vazhdonte. Do të donte që ky debat të ishte më i thellë. Të ishte jo debat, por konflikt. Nuk jam prekur nga ata që kam pritur, por jam prekur nga ai që nuk e kam pritur. S’kam pse me reagu me nervozë, se qysh thash ka qenë e pabesueshme që të më drejtohet mua me një akuzë të tillë që nuk pasna qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës. Kam qenë në Kosovë, jo në Shqipëri. Sikur të isha në Shqipëri e Tiranë, çka do me thanë kjo? Kam mundur të jem edhe në Tiranë. Ka qe kanë ardhur nga Tirana, e janë vrarë në luftë. Nuk duhet t’i japim kontekst negativ, nëse dikush ka qenë në Tiranë. E nëse dikush ka ikur atje, atëherë ajo është çështje tjetër”, përfundoi Selimi.

Javë më parë në Kuvend kishte ndodhur një debat i ‘nxehtë’ në mes të kryeministrit Haradinaj e deputetit Selimi, te dy ish-komandantë të UÇK-së.

Ishte Selimi i cili akuzoi Haradinajn për shitje të tokës, për pak pushtet.

I ashpër në përgjigjen e tij kishte qenë kryeministri, i cili e quajti ‘rrenc’ Selimin, për të cilin tha se gjatë kohës së luftës ka qëndruar në Tiranë dhe se nuk i ka hyrë asnjë therë në këmbë.