Rigjykimi i Kqirajve për fajde, prokurorja kërkon dënimin e dëshmitarit

14.01.2019 22:39:02

Me tensione, vërejtje e kundërshtime të shumta është përshkuar seanca e sotme e rigjykimit për fajde të grupit të Tunë Kqirës në Gjykatën e Prizrenit.

Prokurorja speciale Merita Bina – Rugova kishte vërejtje ndaj dëshmitarëve, të cilët, sipas saj, në vazhdimësi po i ndërrojnë deklarimet e tyre nga ato të kaluarat.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Marjan Kqira, avokatja Kosovare Kelmendi, vazhdimisht kishte vërejtje rreth formës se po merren në pyetje dëshmitarët.

Sipas avokates, në këtë formë po bëhet presion mbi dëshmitarin. Ajo pati vërejtje se nuk po lejohet që të japë përgjigjen që po dëshiron dëshmitari.

Përplasje pati edhe mes kryetarit të trupit gjykues Xheladin Osmani dhe avokatit Tomë Gashi, i cili në rigjykim po përfaqëson palën e dëmtuar në këtë proces – Zef dhe  Pal Grudën.

Sipas gjyqtarit Osmani avokati Gashi po i parashtron pyetje provokuese dëshmitarit.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur sot u dëgjuan dy nga rreth 13 dëshmitarët e propozuar nga prokurorja speciale Merita Bina – Rugova.

Sipas prokurores, dëshmitarët i kanë ndërruar deklaratat e tyre nga ato të dhëna më parë pranë Prokurorisë Speciale e në Polici para zyrtarëve hetues.

Pas dëshmitarit Burim Shala, për të cilin nuk kishte shumë pyetje nga palët, u paraqit dëshmitari Fadil Gashi, i cili disa herë gjatë kohës së po jepte dëshminë e tij deklaroi se qëndronte pranë deklaratave që kishte dhënë më parë dhe kërkoi nga trupi gjykues që  të lirohet nga seanca sepse nuk kishte çfarë të shtonte dhe kishte disa probleme shëndetësore familjare.

Për dëshmitarin prokurorja speciale Merita Bina-Rugova kishte pyetje dhe gjatë gjithë kohës e ballafaqonte me bisedat që kishte zhvilluar me të akuzuarit në periudhën shkurt – mars 2015. Sipas prokurores, dëshmitari kërcënohej dhe kishte presione të vazhdueshme nga të akuzuarit.

Por dëshmitari i mohoi pretendimet e prokurores se ka qenë i kërcënuar.

Sipas tij, ai me të akuzuarit që një kohë të gjatë kanë pasur raporte shoqërore dhe miqësore, andaj edhe për kohën shkurt – mars 2015, i njëjti kishte pasur disa takime me disa nga të akuzuarit “por vetëm për punë dhe për shitblerjen e një banese”.

Prokurorja speciale kërkoi nga kryetari i trupit gjykues që dëshmitari të dënohej konform ligjit pasi që i njëjti po refuzonte t’i përgjigjej pyetjeve të saj.

Kur gjyqtari Xheladin Osmani i tërhoqi vërejtjen dëshmitarit që e ka obligim të përgjigjet në pyetjet e prokurores, përndryshe do të dënohej nga trupit gjykues konform dispozitave ligjore, atëherë dëshmitari Fadil Gashi theksoi nuk ka asgjë më shumë për të shtuar pos që qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë.

Kundërshtime dhe vërejtje kishte edhe avokatja Kosovare Kelmendi, e cila tha që forma se si po merret në pyetje dëshmitari është e papranueshme “ngase po bëhet presion mbi dëshmitarin” ndonëse, sipas saj, ai po deklaronte që qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë.

Sipas avokates Kelmendi dëshmitarit po i parashtrohen pyetje të cilat nuk është i obliguar t’u përgjigjej.

Ndërsa kur mori fjalën avokati Tomë Gashi, i njëjti për dëshmitarin filloi të bëjë pyetje lidhur me atë se çfarë shkollimi ka kryer dhe sa vjeçar ka qenë kur ka kryer shkollën e mesme.

Kjo e irritoi dëshmitarin, i cili refuzoi të përgjigjej. Këtu reagoi edhe kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, i cili i tërhoqi vërejtjen avokatit Gashi se nuk do të lejojë pyetje provokuese për dëshmitarin dhe se informacionet për dëshmitarin janë në shkresat e lëndës.

Ndërsa avokati Tomë Gashi iu drejtua gjyqtarit Osmani me fjalët: “Dëgjo, se mua mos më kërcëno, nuk jam unë Arianit Koci. Refuzone pyetjen por mos mu kërcëno mua!”.

Trupi gjykues i përbërë edhe nga gjyqtarët Artan Sejrani dhe Refki Piraj, i tërhoqën vërejtjen avokati Gashi që të parashtronte pyetje vetëm që kishin ndërlidhje me të dëmtuarit, të cilët edhe i përfaqësonte.

Ndërsa kur dëshmitari përfundoi dëshminë e tij, ndaj të njëjtit vërejtje paraqiti prokurorja speciale Merita Bina – Rugova, pasi që sipas saj “është evidente që ka pasur presione ndaj dëshmitarit”.

Më tutje meqenëse nuk kishte dëshmitarë tjerë për të vazhduar, shqyrtimi u ndërpre dhe u caktuan dy ditë gjatë muajit shkurt, ku do të ftohen dëshmitarë tjerë të cilët i ka propozuar prokurorja speciale Merita Bina – Rugova.

Ky rast është rast i shënjestruar për liberalizim vizash.

Në shkurt të vitit 2018 Gjykata Themelore Prizren kishte shpallur aktgjykim dënues.

Gjykata e Apelit në tetor të 2018 kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde.

Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.