Rinia shqiptare, e para në botë për të emigruar

03.09.2016 13:55:27

Partia Demokratike ka deklaruar këtë të shtunë se, “pas 3 vitesh qeverisje të Edi Ramës të rinjtë shqiptarë zënë vendin e parë në Europë dhe në botë për dëshirën për të braktisur vendin”.

Sipas zëdhënëses Ina Zhupa, të dhënat tronditëse bëhen të ditura nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

“Organiza Ndërkombëtare e Punës tregon se përqindja më e lartë e të rinjve nga mosha 15-29 vjeç, që duan të emigrojnë në botë, janë nga Shqipëria”, ka deklaruar Zhupa.

Ajo ka theksuar se, “në raport thuhet se gatishmëria e të rinjve për të emigruar është nxitur kryesisht nga papunësia e lartë dhe mungesa e shanseve dhe besimit për të gjetur një punë”.

“Kjo është gjendja ekonomike në Shqipëri, ky është realiteti ku papunësia rritet, besimi tek të rinjtë është goditur, shpresa për të ardhmen është vrarë, ndërsa shtohet çdo ditë pasuria e qeveritarëve që ndajnë e plaçkisin asetet publike e paratë e shqiptarëve”, ka vijuar Zhupa.