Risitë e Thaçit për marrëveshjen Kosovë-Serbi, çfarë po paralajmëron presidenti?

04.03.2020 12:05:15

Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Pjesë e këtij takimi ishte edhe emisari Richard Grenell.

Pas këtij takimi, Thaçi nuk qartësoi se çfarë konkretisht është diskutuar mirëpo tha se ky takim do të sjellë risi dhe nënkupton kthesë. Po ashtu, presidenti kërkoi që të mërkurën ose të enjten të raportoj në Kuvendin e Kosovës për këtë takim dhe tjerat që kishte sa qëndroi në SHBA.

“Unë jam rrugës duke u kthyer në Kosovë dhe menjëherë do ta bëj kërkesën për raportim në Kuvendin e Kosovës mundësisht të mërkurën apo të enjten në mënyrë që të jetë një transparencë e plotë edhe për takimin me Vuçiqin, por edhe për takimet dhe zhvillimet tjera dhe të ardhmen që duam ta ndërtojmë bashkërisht. Unë besoj se të bashkuar dhe me unitet mund t’i realizojmë objektivat tjera siç kemi realizuar në të kaluarën në Rambuje, Vjenë, me deklaratën e Pavarësisë dhe shumë angazhime tjera”, tha Thaçi,

Risia që po e paralajmëron Thaçi, lidhet ngushtë me afrimin drejt një marrëveshje përfundimtare. Kështu thotë njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani i cili theksoi se marrëveshja përfundimtare do ta gjejë spektrin politik të përqarë.

“Deklarata e Thaçit lidhet me avancimet përpara në dialog me Serbinë, më duket se ka pas një zhbllokim të ngërçit në të cilin janë futur Kosova dhe Serbia tash e sa kohë, tashmë procesi është në një fazë shumë më të avancuar ku në çdo moment pritet një marrëveshje përfundimtare pas atyre marrëveshjeve të bëra në Mynih për hekurudhëa dhe linjën ajrore. Risia që po e paralajmëron Thaçi lidhet ngushtë me afrimin drejt një marrëveshje përfundimtare e cila fatkeqësisht do ta gjejë të përqarë spektrin politik në Kosovë”, ka deklaruar Ramadani.

Sipas tij, në rrethana normale ish dashtë që Thaçi të dakordohej me Kurtin për politikë të jashtme, por tani SHBA po kërkon veprime të shpejta.

“Në rrethana normale ish dasht me u dakordu por tash jemi në kohë kur SHBA-të po kërkojnë veprime të shpejta ndërkohë kur Kosova e përqarë brenda nuk është në gjendje të reagojë aq shpejtë, prandaj ata po gjejnë kanale të cilat mundësojnë politika më të shpejta”, ka theksuar ai.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani thotë se Thaçi e Vuçiq mendojnë se do të fitojnë çmimin ndërkombëtar të paqes nëse arrijnë të zgjidhin këtë çështje.

“Bisedimet Thaçi-Vuçiq dihet se e kanë një dokument me zgjidhjen të cilën do ta propozojnë. Në këtë dokument akterët kryesor janë dy presidentët. Të dy mendojnë se do të fitojnë çmimin ndërkombëtar për paqe.  Këta dy njerëz në tri vitet e fundit po tentojnë të merren vesh për të përfunduar konfliktin në një mënyrë ku Serbia lirohet prej Kosovës dhe Kosova lirohet nga Serbia, për anëtarësim në OKB dhe organizata tjera”, ka thënë Burjani.

Përkundër Thaçit, mbrëmë Vuçiq tha se në takim është biseduar për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, për të cilën kërkoi të hiqet sa më parë. Ai theksoi se SHBA-të nuk i kanë kërkuar asgjë Serbisë në këmbim të heqjes së taksës.

Po ashtu, presidenti serb tha se Kosova duhet të ndalet së kërkuari nga Serbia që ta njohë pavarësinë e saj, në mënyrë që edhe ata të ndalen së lobuari kundër Kosovës.