Rivali i Qerimajt pozitiv në Botëror, shkodrani merr medaljen e bronzit

24.01.2018 01:58:28

Peshëngritësi rumun Dumitru Captari ka rezultuar pozitiv në një test antidoping të zhvilluar në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që u organizua në Amerikë, shtangist që u rendit në vendin e tretë të peshës 77kg, në stilin e shkëputjes. Ai mori medaljen e bronzit në këtë event, medalje që tashmë është i detyruar ta dorëzojë, e cila do të vijë në Shqipëri dhe në qafë do ta vendosë shkodrani Erkand Qerimaj, që në atë stil u rendit i katërti. Lajmin e ka konfirmuar Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, që deklaron se rumuni ka dalë pozitiv me “ephedrine” (diuretik).

Captari, në atë Botëror pat ngritur 156kg në shkëputje, 1kg më shumë se Qerimaj, që tashmë mund të festojë këtë medalje të ardhur me vonesë. Për sa i përket dygarëshit, asnjë ndryshim në renditjen e përgjithshme të Erkand Qerimaj, i cili qëndron i gjashti, pasi rivali rumun nuk pat dhënë asnjë rezultat në shtytje. Më së fundi vjen një lajm i mirë për peshëngritjen shqiptare, e zhytur në zi pas skandalit doping me shtangisten Romela Begajn në botëror, dorëheqjen e presidentit Elez Gjoza nga detyra dhe heqjen e të drejtës për të organizuar Europianin 2018.

Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) përmes një deklarate për mediat konfirmon se në Botërorin e shtangës të zhvilluar në Amerikë kanë dalë pozitivë 4 sportistë e mes tyre edhe Romela Begaj (stanozolol), e cila ka kërkuar të kryhet edhe testi B, ndërkohë që ka humbur medaljet e fituara.