Rivarrosen eshtrat e familjarëve të Azem Galicës (Foto)

19.08.2016 12:51:08

Në Galicë të Vushtrrisë sot u rivarrosën eshtrat e familjarëve të Azem Bejta– Galicës, të vrarë nga forcat serbe 96 vjet më parë në malet e Dubocit.

Në ceremoninë e rivarrimit, siç raporton portali Veriu.info, të organizuar nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Komuna e Vushtrrisë, morën pjesë kryeparlamentari Kadri Veseli, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, kryetari i komunës së Vushtrrisë dhe nënkryetari i Skenderajt, si dhe qytetarë të shumtë nga Vushtrrisë dhe Drenica.

Me rastin e rivarrimit të eshtrave të familjarëve të Azem Bejtës, kryeparlametari Kadri Veseli tha se institucionet e Kosovës po e kryejnë një obligim moral dhe institucional ndaj pishtarëve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës të asaj kohe, raporton Veriu.info.

Po ashtu fjalim rasti mbajti edhe kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, i cili tha se forcimi institucioneve të Republikës së Kosovës është shpagimi më i madh për Luftën e kryetrimit Azem Bejta, komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.