Nga janari u riatdhesuan më shumë se 4 mijë kosovarë, më së shumti nga Gjermania

19.08.2016 12:55:06

Nga pakënaqësia qytetare që kishin për kohë të gjatë nga mos liberalizimi i vizave, ekonomia e dobët dhe shumë problemeve me të cilat përballeshin shumë qytetarë të Kosovës vendosën që të ikin nga vendi i tyre.

Përgjatë vitit të kaluar shumë nga ta morën rrugën e tyre si emigrantë për në vende të ndryshme të Evropës.

Shqetësues ishte fluksi i madh i tyre që kalonte nëpër kufijtë e shumtë evropianë në mënyra të ndryshme ilegale.

Kurse rreth numrit të kthimit të tyre është diskutuar pak, duke lënë anash faktin se sa shumë qytetarë u larguan në atë kohë.

Në një pyetje të dërguar nga Indeksonline në Ministrin e Punëve të Brendshme është kuptuar numri i qytetarëve të kthyer nga këto vende të Evropës për një periudhë të caktuar.

Nga kjo ministri është bërë e ditur se numri i të riatdhesuarve deri më tani është gjithsej 4470 persona.

“Gjatë periudhës janar-korrik 2016 janë ripranuar gjithsej 4470 persona prej tyre me 3878 me forcë ndërsa 592 vullnetarë”, thuhet nga kjo ministri.

Po ashtu nga shteti që janë ripranuar kosovarë më së shumti është Gjermania.

“Përgjatë periudhës janar-korrik 2016 më së shumti të ripranuar ka nga shteti i Gjermanisë 79%, Zvicër 6.5% dhe nga Suedia 4.1%, teksa shtetet e tjera janë me përqindje më të vogël”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.