Romana Vlahutin, apel shqiptarëve: Mos kërkoni azil në Europë, do ju ndihmojmë

04.05.2018 13:45:41

Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin i ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos e braktisin vendin e tyre për të kërkuar azil në Europë.

Në forumin qytetar për sigurinë publike në Lezhë, Vlahutin tha se Shqipëria duhet të arrijë standarde të përputhshme me vende evropiane.

“Shqipëria nuk ka nevojë të shkojë në Europë, pasi ajo është në hartën e Evropës. Një thirrje nëse mendoni të gjeni ndonjë mënyrë tjetër për të lëvizur nga vendi mos e bëni përmes idesë që të kërkoni azil. Azilkërkimi nuk është për Shqipërinë po për ata njerëz që kanë kaluar vuajtje siç janë ata nga Siria dhe Afganistani, – tha ajo. – E di që keni shumë pyetje se çfarë po bën BE me Shqipërinë. Ne duam të ndihmojmë që të arrihen standardet për sa i përket Sigurisë njerëzore. Për ne është shumë e rëndësishme. Siguria për gjithçka. Që nga ushqimi, tek lëvizja në rrugë e gjithë të tjerat. Kjo lidhet edhe me pjesën se sa të sigurt do të jeni edhe më vonë. Mua s’më pëlqen kjo shprehja “Do shkojmë në Europë”. Shqipëria është pjesë e Europës, por ne thjesht duam që të arrijmë standardet e vendeve që janë pjesë e BE-së”.

Vlahutin tha se policia duhet të fitojë besimin e qytetarëve për të denoncuar çdo lloj krimi. “Policia të fitojë besimin tuaj sepse në momentin që ka këtë besim atëherë mund të denonconi e raportoni çdo lloj krimi, që të dini që do të merrni përgjigje nga ana e tyre”, – u shpreh ambasadorja Vlahutin.