Romët në tenda buzë Vardarit: Mos harroni, na premtuat strehim!

18.06.2017 21:16:03

Para tetë muaje qytetarëve rom që jetojnë në tenda buzë Vardarit, LSDM-ja u premtoi se me ardhjen në pushtet do ta harrojnë këtë mënyrë të jetesës. Ndësa gjithashtu, vitin e kaluar edhe minstrja aktuale e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska (atëherë në cilësinë e kryetares së komisionit për punë dhe politikë sociale të LSDM-së), erdhi tek këto familje dhe tha se rritja fiktive e ndihmës sociale, ka ndikuar që këta qytetarë të përfundojnë buzë Vardarit.

 

Banorët ministren e sapozgjedhur Carovska e mbajnë mend shumë mirë, dhe kanë shpresa se ajo do të mund të ndryshoj gjendjen e tyre, meqë thonë se ashtu u premtoi ajo.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thotë se zgjidhje ka për këta qytetarë. Në përgjigjen dërguar TV21, ministrja thotë se strehim për banorët e tendave buzë Vardarit, është vendosja e tyre në fshatin Çiçino.

Ministria shpjegon se për sigurinë e këtyre familjeve do të merren masa shtesë.

Tendat e improvizuara janë shtëpi për dhjetëra romë, të cilët një kohë të gjatë po jetojnë buzë lumit të Vardarit.

Në një tendë jetojnë prej 7 deri më 10 persona, kurse ekzistencën e sigurojnë duke shitur material reciklues, si plastikë dhe letra, që i mbledhin nëpër mbeturina.