Roshi përkrah Ahmetajt/ Edi Paloka: Rama nuk ndahet dot nga kriminelët, më 18 shkurt të dalim në protestë

05.02.2017 14:17:14

Prezantimi zyrtar që Elvis Roshi, i shkarkuar si kryebashkiak, i bëri ministrit të Financave Arben Ahmetaj si deputet në Kavajë për zgjedhjet e ardhshme, ka vënë Edi Ramën në qendër të akuzave nga opozita.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka akuzoi sot Kryeministrin se po shkatërron procesin e Dekriminalizimit dhe nuk zbaton vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë.

Sipas Palokës, kjo tregon se Kryeministri Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së Partisë Demokratike më 18 shkurt.

Në takimin me Ahmetajn dy ditë më parë, Elvis Roshi u prezantua si kryebashkiak i Kavajës edhe pse zyrtarisht është i shkarkuar.

Reagimi i Edi Palokës:

Edi Rama ka vendosur të mos zbatojë dekriminalizimin, të mos zbatojë vendimin e prokurorisë, të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, madje as vendimin e qeverisë së tij, për largimin e Elvis Rroshit nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës.

Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, KQZ zbatoi urdhërin e prokurorisë për ti hequr mandatin Elvis Rroshit, bazuar në ligjin e dekriminalizimit, dhe pas kësaj doli një vendim qeverie që e shkarkonte atë nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës.

Por dje, ministri i financave i Edi Ramës, jo vetëm shfaqet me përulësi e respekt para Elvis Rroshit, në një aktivitet politik në Kavajë, por e cilëson atë publikisht kryetar Bashkie.

Edi Rama del kështu kundër qytetarëve, kundër institucioneve, kundër kërkesës së Europës, dhe mbron krimin deri në fund.

Me veprimin e tij, Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës e partnerëve ndërkombëtarë dhe vullnetin e popullit për hartimin dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi. Nuk ndahet dot nga

trafikantët dhe droga. Prandaj nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Sepse kështu nuk e ndihmon dot, as ai krimin, as krimi atë. Zgjedhjet e lira janë fundi i krimit në politikë.

Ndaj me 18 Shkurt ne ngrihemi bashkë për t’i prerë rrugën krimit në politikë, për ti dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin të lire qeverisjen e tyre.?