Rotaract Club Anamorava i dhuron Shoqatës së të Verbërve libra me alfabetin brail

30.01.2018 23:51:57
Rotaract Club Anamorava nga Gjilani ka finalizuar të martën projektin e saj “Mendja ime shesh”, dedikuar personave me mungesë në të pamur. Me këtë rast ky klub i të rinjve u ka dhuruar Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, libra të kësaj natyre që ajo pastaj të zhvillojë mësimin me fëmijët që kanë pengesa në të pamur, apo janë të verbër.

Rotaraktët gjilanas tash e një kohë, përmes aktiviteteve të ndryshme kanë grumbulluar mjete, për t’i konvertuar më pas ato në libra me alfabet brail, projekt ky që u mbështet fuqishëm edhe nga UNICEF-Innovations Lab Kosovo, Klubi Rotarian Gjilani dhe Komuna e Gjilanit që do të sigurojë transportin për fëmijët që do të ndjekin mësimet, për të cilët do të angazhohet shoqata.

Në këtë ngjarje të karakterit bamirës që u organizua në një tempull të dijes siç është Biblioteka e Gjilanit “Fan s. Noli”, e ku është bërë edhe dorëzim-pranim i librave, morën pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal në Gjilan, Shpresa Kurteshi – Emini, udhëheqësi i Njësisë për Kulturë, Kujtim Shahiqi, Genc Mustafa nga Njësia për Rini e Komunës së Gjilanit, Zijadin Hasani, kryetar i RC Gjilan, Bajram Spahiu, kryetar i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, mysafirë nga Peja, anëtarë të Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, studentë e qytetarë.

Ky projekt u vlerësua si i mirëseardhur e i veçantë nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi – Emini, e cila duke i sjellë përshëndetje e kreut të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se dëshirojnë t’i inkurajojnë të rinjtë për iniciativa të tilla, tha se ata do ta kenë përherë mbështetjen e Komunës së Gjilanit.

“Në këto momente patjetër se është e vështirë të gjinden edhe fjalët e veçanta, po e vlerësojë edhe aktivizmin e njerëzve të veçantë për njerëzit e veçantë. Ne gjithmonë do t’i mbështesim aktivitetet e tilla dhe ne si komunë ju inkurajojë që te vazhdoni të bëni projekte të tilla edhe në të ardhmen, projekte të cilat do t’u shërbejnë qytetarëve tanë në çështje të ndjeshme. Ju konfirmojmë edhe njëherë mbështetjen tonë në çdo aspekt dhe i mirëpresim gjithmonë projektet që kanë të bëjnë me të rinjtë, e me fëmijë në veçanti. “, ka thënë kryesuesja e kuvendit, Shpresa Kurteshi –Emini.

Nga ana e tij, Zijadin Hasani, kryetar i Rotary Club Gjilani, tha se ky klub do i mbështet gjithmonë rotaraktët e rinj sepse ata vërtetë janë duke bërë punë të mëdha, janë duke realizuar projekte shumë të rëndësishme në dobi të komunitetit dhe se i tillë është edhe ky projekt me plotë vlerë për personat e verbër dhe me të pamur të dobësuar. Ai ka falënderuar pa dallim të gjithë rotaraktorët që janë kontribuues në këtë projekt, por edhe në të tjerat dhe vlerësoi lartë edhe mentorin e tyre, rotarianin Muhamet Halili, i cili sipas tij po i gjendet pranë dhe po i përkrahë vazhdimisht të rinjtë e këtij klubi, që do ta ketë përherë përkrahjen e RC Gjilanit.

Ndërsa, Kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, e vlerësoi si nevojë të domosdoshme realizimin e këtij projekti dhe pranimin e librave të natyrës së tillë, të cilat mundësojnë komunikim dhe edukim për fëmijët. Ai falënderoi të rinjtë për një iniciativë të tillë dhe që po mendojnë për këtë kategori të shoqërisë.

Përndryshe, rotaraktorët falënderuan edhe Shkollën e Kitarës “Mirela”, anëtarët e të cilës përgjatë gjithë kohës argëtuan pjesëmarrësit me performancën e tyre të shkëlqyeshme, përfaqësuesit nga Shkolla për të Verbër” Xheladin Deda”- Peje, ëmbëltoren Kimi që u përkujdes për koktejin, bibliotekën e qytetit për hapësirën ku u organizua kjo ngjarje, dhe të gjithë të tjerët që në çfarëdo forme kontribuuan në përmbyllje të këtij projekti.

Vlen të theksohet  se ecuria e projektit në fjalë është shpalosur nga rotaraktorja Indira Suliqi, e cila edhe kishte dal fituese e fondit  në punëtorinë nga UNICEF-Innovations Lab Kosovo.