Rrëfimi i bashkëshortes së turkut të arrestuar dhe deportuar në Turqi – mohon se burri i saj po bashkëpunon me prokurorinë (Video)

09.04.2018 22:15:32

Osman Karakajas është një nga gjashtë të arrestuarit turq në Kosovë dhe të deportuarit në Turqi. E bashkëshortja e kardiokirurgut mohon se burri po bashkëpunon me prokurorinë.

E për vete dhe fëmijët, përcjell klankosova, Fatma, pranon se e ka frikë sigurinë.

Të gjashtë shtetasit turq u arrestuan dhe u dëbuan më 29 mars vetëm pak orë pasi u arrestuan nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Liderët kryesorë të Kosovës, Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për një operacion të tillë dhe që të tretë kanë thënë se ishte një veprim i gabuar.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka shkarkuar ministrin e tij të Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Inteligjencës, Driton Gashi, pas dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Pesë prej personave të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Ankaraja i ngarkon ata me dyshimin se janë anëtarë të organizatës Hizmet të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Ndërkohë shefat e Grupeve Parlamentare pritet të mblidhen ditën e martë, për të nisur punën rreth krijimit të komisionit hetimor për t’i ndriçuar rrethanat e dëbimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare si dhe kritikë vendorë kanë thënë se dëbimi i tyre paraqet shkelje të të drejtave të njeriut si dhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës.