Rrëfimi i kosovares për sulmin në Londër

22.03.2017 18:56:47

Shqiptarja nga Kosova, Vlora Pireva që jeton në Londër ka rrëfyer se si e ka përjetuar sulmin e sotëm në Parlamentin e Britanisë, sulm ky që po cilësohet si terrorist.

“Unë sapo përfundova punën. Për momentin, është qetë. Më herët ishte panikë, kishte gjithandej helikopterë, makina të Policisë si dhe motoçikleta që në fakt edhe na e pamundësonte punën”.

Ajo në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se pavarësisht këtij incidenti, tashmë situata është qetësuar në Londër por që kontrollet e detajuara të Policisë po vazhdojnë.

Qytetarja Pireva ka thënë se pavarësisht krejt kësaj ngjarje, ajo nuk është shqetësuar shumë.

“Njerëzit janë të rezervuar për të përdorur transportin publik por njerëzit megjithatë po vazhdojnë ta përdorin atë, nuk është mbyllur”.

“Nuk jam shqetësuar shumë, jemi mësuar me këto ngjarje. Aktualisht kam pak frikë ta përdorë trenin nëntokësor, andaj po mendohem çfarë të bëj”.