Rrëzimi i dy qeverive brenda një viti- këta janë kandidatët e mundshëm për postin e kryeministrit të ri të Kosovës

29.12.2020 11:58:35

Përkundër se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ende nuk janë shpallur nga u.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, partitë politikë në një farë formë kanë filluar të bëjnë fushatë zgjedhore dhe të zyrtarizojnë kandidatët e tyre për kryeministër.

Në qytete të ndryshme, partitë po mbledhin aktivistët e tyre duke bërë kështu edhe premtime të mëdha në qoftë se ata vijnë në pushtet. Përveç premtimeve, disa nga partitë po deklarohen edhe për koalicione të mundshme para dhe pas zgjedhore.

LDK, PDK, AAK, LVV, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, që të gjitha këto subjekte politike janë shprehur të gatshme për të hyrë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, teksa janë shprehur edhe optimiste për rezultatin që do ta kenë në zgjedhje.

Megjithatë, jo të gjithë deputetët e legjislaturës së shtatë janë shprehur të gatshëm që të hyjnë sërish në garë për deputetë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar deputeti aktual i LDK-së, Fatmir Rexhepi. Ai ka theksuar se në zgjedhjet e ardhme nuk do të kandidojë për deputet.

Ndryshime në LDK pritet të ketë edhe gjatë ditëve në vazhdim, pasi që deputeti Haxhi Avdyli, në vazhdimësi ka kritikuar Qeverinë Hoti, dhe kreun e partisë së tij, Isa Mustafa. Kjo gjë lë të nënkuptojë se ai më nuk do të jetë kandidat për deputet i kësaj partie.

Sa i përket kandidatit për kryeministër, në LDK thonë se ende nuk kanë vendosur se kush do t’i hyjë garës, megjithatë në media kanë filluar të lakohen disa emra si kandidat të mundshëm.  Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri, janë disa nga figurat më së shumti të përmendura për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, përcjell Telegrafi.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK kandidate për kryeministre kishte Vjosa Osmanin.

Sikurse në zgjedhjet e kaluara, LVV në këto zgjedhje të jashtëzakonshme pritet të ketë kandidat për kryeministër, kreun e partisë, Albin Kurti. Madje, në rrjetet sociale, zyrtarët e kësaj partie kanë filluar të shpërndajnë fotografi të ndryshme të Kurtit duke shkruar se ai do të jetë kryeministër i ardhshëm i kësaj partie. Sipas LVV-së ata në zgjedhjet e reja do të marrin mbi 50 përqind të votuesve.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë zyrtarizimin e kandidatit për kryeministër. PDK në garë për kryeministër do të ketë kryetarin në detyrë, Enver Hoxhaj.