Rriten eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës

17.03.2017 14:37:13

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 66.9 për qind, të gjithë tregtisë. Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar nga INSTAT, në muajin shkurt eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 78.1 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61.8 për qind të importeve gjithsej.

Ndërsa për periudhën janar-shkurt, shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 64 për qind të gjithë tregtisë. Në dy muajt e parë 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80.6 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 55,8 për qind të importeve gjithsej.

Në muajin shkurt 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me shkurtin e 2016-ës janë Italia me (5.3 për qind), Kosova me (40.1 për qind) dhe Spanja me (69.5 për qind). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë Bullgaria me (-22.4 për qind), Holanda me (-8.3 për qind) dhe Austria me (-53.1 për qind).
Sa i përket importeve, sipas INSTAT, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, gjatë muajit shkurt në krahasim me shkurt 2016 janë Gjermania me (19.3 për qind), Turqia me (18,6 për qind) dhe Greqia me (8.5 për qind). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me (-5.7 për qind), Kina me (-12.8 për qind) dhe Çekia me (-35.4 për qind).