Rritet numri të shtrirëve me COVID-19 në Infektiven e QKUK-së, një paciente në gjendje të rëndë

15.06.2020 11:39:21

Në Klinikën Infektive të QKUK-së janë duke u trajtuar 43 pacientë të cilët janë të prekur me koronavirus.

Në Kosovë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), numri i rasteve me koronavirus ka arritur në 1 mijë e 486.

Vetëm në tre ditët e fundit, numri i të infektuarve është rritur dukshëm, shkruan lajmi.net.

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive janë të shtrirë 43 pacientë të cilët kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Sipas njoftimit, 22 raste janë duke u trajtuar në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive ndërkaq një paciente është në gjendje kritike në frymëmarrje të asistuar dhe përkujdesje intensive

Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë 1 mijë e 486 raste me kosonavirus, 33 prej tyre kanë ndërruar jetë dhe 953 janë shëruar. Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, numri i rasteve aktive me koronavirus në vendin tonë është 500.

Ky është njoftimi i plotë:

Në klinikën Infektive, QKUK, sot me 15/06/2020, gjinden të hospitalizuar 57 raste.

Prej tyre të sëmurë me Covid 19 janë gjithsej 43 raste.

Gjendja e pacientëve të sëmurë me Covid 19 është si vijon: nga 43 raste të infektuar me Covid 19, 20 raste janë në gjendje stabile.

Gjithsej 22 raste janë duke u trajtuar në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Në repartin e Mjekimit Intensiv është duke u trajtuar një paciente në gjendje kritike në frymëmarrje të asistuar dhe përkujdejse intensive.

Jemi në pritje të rezultateve për 13 raste, ndersa 1 rast i cili rezultoi negativ në testimet e fundit për Covid 19 vazhdon trajtimin në klinikë.