Rrotullohet autobusi që po udhëtonte nga Parisi për në Londër, 33 udhëtarë mbetën të lënduar

03.11.2019 19:51:24

Autobusi që po udhëtonte nga Parisi për në Londër, është rrotulluar në pjesën jugore të Francës, duke shkaktuar lëndimin e 33 udhëtarëve, prej të cilëve katër kanë gjendje të rëndë.

Burime pranë policisë, kanë thënë se autobusi është rrotulluar për arsye të panjohura, ndërsa ka përfunduar jashtë rruge, i kthyer në njërën anë, transmeton Telegrafi.

“Të gjithë udhëtarët janë nxjerrë jashtë, ndërsa ata që kishin gjendje më të rëndë u dërguan menjëherë në spital, Të tjerët që ishin të lënduar lehtë, u trajtuan aty nga ndihma e shpejtë”, thuhet në raport.

Fotografitë e shpërndara, e shfaqin autobusin e dëmtuar rëndë, derisa shumë pjesë i janë shpërndarë në afërsi.

Ky autobus është në pronësi të një kompanie gjermane, ndërsa identiteti i udhëtarëve nuk është bërë i ditur.