Rrustem Berisha: Është urgjente që Kosova të bëhet me ushtri

17.01.2017 17:59:23

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë të AAK-së, duke vlerësuar situatën e sigurisë në vend, edhe pse autoritetet e sigurisë të Republikës së Kosovës, dalin me kumtesa zyrtare ku anashkalohet fakti se situata aktuale është produkt i dialogut destruktiv, kundër interesave të shtetit.

DPMS i AAK-së është i shqetësuar pas deklaratave kërcënuese të zyrtarëve të lartë nga Serbia, si dhe veprimeve të tyre të fundit duke filluar me murin, ndalesës së z. Haradinaj në Francë, trenin – të gjitha këto me konotacion politik, vazhdimësi e ish-pushtetit të diktatorit Millosheviq.

Veprimet e tilla janë provokime të hapura ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial, ndërsa rritja e numrit të ushtarëve serb në brezin kufitar me Republikën e Kosovë paraqet kërcënim direkt për mjedisin e sigurisë në Kosovës dhe rajon.

DPMS i AAK-së i mirëpret të gjitha angazhimet shtetërore dhe ndërkombëtare, me theks të veçantë NATO-n, për gatishmërinë e ofruar përball çdo situate në ruajtjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Pra, nevoja që Kosova të bëhet me ushtri është tepër urgjente, gjetja e një opsioni formal, do të nënkuptonte zgjerimin e misionit të FSK-së deri në krijimin e kushteve për transformim të plotë, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Rrustem Berisha, kryesues i DPMS-së së AAK-së.