Rusët: Sulm informatik nga Shqipëria

23.03.2017 16:07:17
Qershorin e vitit të kaluar, “Huffington Post” raportoi se një sërë faqesh Facebook-u nga mbështetës të Bernie Sanders po kontrolloheshin prej hakerave të huaj me qëllimin që të “trazonin dhe përçanin të majtët” përmes lajmeve të rreme.
 

Gazetarja politike e MSNBC, Rachel Maddow iu rikthye kësaj teme duke i përmendur faqet në fjalë si shembull ilustrues të “luftës së informacionit” që po zhvillohet sipas saj kundër Shteteve të Bashkuara nga disa vende të tjera.

Maddow përmendi ndikimin e Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale të Amerikës nëpërmjet disa faqeve online të krijuara sipas saj në Shqipëri dhe Maqedoni.

Gazetarja thotë se faqe të ndryshme në rrjetet sociale në emër të kandidatit demokrat Bernie Sanders, të menaxhuara nga Shqipëria, kanë tentuar të armiqësojnë votuesit e Sanders me ata të rivales së tij në betejën për nominim, e kjo i ka kushtuar vota Clintonit në zgjedhjet e nëntorit.

Sipas Maddow, faqe të tilla nuk janë drejtuar thjesht nga disa të rinj për të fituar klikime me “fake news”, por janë taktika të luftës kibernetike ruse ndaj Amerikës.

Sipas gazetares – shkurtin e 2016-s, Andrey Krutskikh, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin për luftën kibernetike, deklaroi në Forumin e Sigurisë Informatike në Moskë se shërbimet ushtarake dhe inteligjente ruse kishin zhvilluar të ashtuquajturën “bombë atomike” të informacionit kundër Amerikës.

Një nga taktikat e kësaj beteje ishte krijimi i faqeve robotike për të armiqësuar votuesit demokratë me njëri-tjetrin. Shënjestra kryesore ishin simpatizantët e Sanders, fushata e të cilit u përball me një tsunam faqesh të tilla në Facebook dhe Twitter, që shpërndanin lajme të rreme për Clintonin.

Kur administratori i faqes “Bernie Sanders San Diego”, John Mattes, nisi t’i gjurmonte faqet automatike zbuloi se ishin të regjistruara në Shqipëri dhe Maqedoni.

Teknologjia robotike, siç shpjegoi Maddow, gjurmon postimet e rrjeteve sociale me fjale kyçe si “Hillary Clinton” dhe shpërndan lajme të rreme të përgatitura më parë nga personat që i menaxhojnë ato.