Rusia u kundërpërgjigjet sanksioneve amerikane

28.07.2017 22:51:59

Rusia ka vendosur të hakmerret ndaj sanksioneve amerikane duke i kërkuar Washingtonit që ta shkurtojë në 455 vetë stafin e tij diplomatik, e duke i ndaluar përdorimin e disa ndërtesave.

Sipas Moskës, stafi i misionit diplomatik të SHBA-së duhet të jetë i të njëjtit nivel më atë të ambasades ruse në Uashington.

Amerika, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse, po ndërmerr me kokëfortësi njëri pas tjetrit hapa kundër Rusisë, duke përdorur pretekstin imagjinar të ndërhyrjes në çështjet e saj të brendshme.

Më herët, me 98 vota pro e dy kundër, edhe Senati amerikan e miratoi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut duke ndjekur të njëjtën linjë me Dhomën e Përfaqësuesve, pavarësisht kundërshtimeve të Shtëpisë së Bardhë.

Pas kalimit në të dyja dhomat, drafti do t’i dërgohet Presidentit Donald Trump për ta firmosur, duke e kthyer kështu në ligj. Trump, që kërkon marrëdhënie më të ngushta me Moskën ka fuqinë ta bllokojë nismën me veton e tij, pavarësisht mbështetjes politike që ajo gëzon.

Megjithatë, edhe vetë vetoja presidenciale mund të hidhet poshte më dy të tretat e votave në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, ku nuk do të ishte e vështirë të arrihej ky rezultat duke qenë se kundër projektligjit nuk kanë votuar veçse një grusht politikanësh.

Nëse Trump do t’i bllokonte sanksionet me veton e tij, kjo do të ushqente dyshimet se Presidenti është ca si shumë mbështetës ndaj Kremlinit.