Bashkëshorti i Albulena Haxhiut kërcënon Blerta Deliun

28.07.2017 23:27:17

Bashkëshorti i deputetes së Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, Alban Krasniqi i ka drejtuar një mesazh privat në ‘Facebook’, deputetes së PDK-së Blerta Deliu-Kodra.
Deputetja Deliu-Kodra, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Krasniqi në mesazhin e tij i është drejtuar Deliut me “ Të fala kriminelëve oj plastikë”.

Ajo ka thënë se është kërcënuar pas emisionit në RTK nga bashkëshorti i deputetes Haxhiu.

Postimi i plotë i deputetes Kodra- Deliu:

“Pas emisionit “Debat” në RTK, sot më kanosi dhe bëri publikisht një shpifje kundër meje, bashkëshorti i deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu.

Kanosja e tij ka të bëj edhe me mentalitetin diktatorial të subjektit politik të tij. Ia bëj me dije këtij kërcënuesi dhe shpifësi se unë, do t’i bëj kallëzim penal për kanosje dhe padi për shpifje, sepse unë dhe kolegët e mi, tërë jetën kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë për të mirën e vendit tonë dhe qytetarëve tanë.

Ndërkaq, Alban Krasniqi së bashku me bashkëshorten do të përballen me sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës për kanosje dhe shpifje.

Ne ju besojmë institucioneve tona të drejtësisë dhe në shtetin ligjor i cili duhet t’i mbrojë qytetarët nga kanosjet dhe shpifjet e tilla që vijnë nga dhunuesit e institucioneve dhe që tash sulmin duan ta bartin edhe te deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Dua t’i garantoj qytetarët e Kosovës se asnjë kanosje, shpifje as shantazh nuk do të më ndal nga puna për të mirën e vendit tim”, (sic), ka shkruar deputetja Deliu-Kodra. /Telegrafi/