Sa kanë kuptim shpenzimet enorme për ahengje në Kosovën e përvuajtur?

30.07.2016 14:23:51

Nga Ajet Avdyli
aaSi shumë mërgimtarë që e vizitojnë Kosovën, edhe unë isha për pushime atje. Tani që u ktheva në Zvicër në vendin e punës, në vendin e kulturës por edhe në vendin ku ka punë, ka para por ka edhe stres e peripeti të tjera, ulemi me shokë, me dashamirë e bashkëveprimtarë, e për një çast, i kthehemi kohës së kaluar në pushime, në vendlindje në Kosovë.

Po kthehemi  pas këtyre pushimeve  ku unë kalova mirë, mes miqësh e dashamirës, ku nuk pushuan së jehuari edhe kënga dhe thirrjet e ndryshme, sidomos të dasmave e dasmorëve, të cilët, si çdo herë në këtë kohë janë bërë, refrenet e shqiptarëve në Kosovën tonë.

Në qytetet tona, bie buria, ku këndohen këngë, flakërojnë fishekzjarret nga dasmorë, në fejesa e martesa, festa të ndryshme, një konkurrencë e paparë mes njerëzvecili  e bëri gazmendin më të mirë, cili e pat këngëtarin më të mirë, cili e pat restorantin më të mirë, cili pagoi më shumë për meny, cili pat dasmorë më shumë, e kujt ishte nusja më e mirë.

Ishte ditë e shtune, dhe nga Lagja Dheu i Bardhë mora rrugë për në qytet.  Si zakonisht nuk e preferoj udhtimin me veturë, por në këmbë. Rrugës më bien në sy njerëz të cilët lëvizin, disa në këmbë e më shumë me vetura e taxi, të cilët lëvizin pa nderprerë.

Pak më poshtë më bie në vesh një zhurmë, dhe vetëm zhurmë, daulle e surla në një qerre me kuaj, të stolisur, të mbajtur mirë që tërhiqnin karrocën e stolisur dhe dy fëmijë që sapo kishin krye synetinë. Si zakonisht, duan të festojnë në kalërimin me kuaj e qerre, por edhe me daulle e surla. Bënte vapë e madhe, temperaturat shkonin deri më 35 gradë, ishte vështirë për ta pëballuar, edhe per ne por më e vështirë për fëmijët e vegjël, që sapo ishin bërë synet te mjeku, kishin fillue marshin me kuaj e qerre.

Temperaturat e larta, zhurma e daulles, zhurma e automjeteve që lëviznin pa ia nda, sikur të krijonin përshtypjen se diçka nuk është në rregull

U ndala për një çast ku kolona e automjeteve ishte e madhe, dhe e pyeta një burrë në qerre: përse në këtë kohë me këta fëmijë, të cilët ishin të molisur dhe të sëmurë?A nuk i shihni  fytyrat e tyre të djersitura nga vapa?

Plaku më tha se ky është fillimi. Për në mbrëmje paskan organizuar aheng, e festë në një nga restorantet më të njohur në Gjilan, ku kanë të ftuar 300 miqë e dashamirë, që priten të argëtohen nga këngëtarët më të mirënjohur të Estradës së Kosovës.

E gjithë kjo festë me kuaj e qerre, me daulle e me këngëtarë të mirënjohur, sipas të gjitha gjasave do të kushtonte 16.000 EURO.

Si quhet kjo festë? – nuk e di, por po presupozoj se do të duhet të quhet:

FESTA E LUCIT

Tani më duhet të shtoj pytjen: vallë a ia vlen që sot në fukarallakun tonë, në Kosovën tonë, ku nevojat janë të mëdha, e papunësia e madhe, ne t’i japim të drejt vetes, të shpenzojmë shuma marramendëse? Kjo vlen sidomos për ne që vijmë nga Mërgata e perpiqemi t’ i shesim mend të tjerëve në Kosovë. Ma merr mendja se këto janë veprime të pamenduara dhe të paplanifikura mirë.

Do të ishte mirë sikur të mendonim më mirë per menaxhimin e buxhetit personal e familjar, sepse një dukuri e tillë ndodh vetëm në Ballkan, por jo në botën e qytetëruar të shteteve perëndimore.

Ne mërgimtarët që me vite të tëra punojmë punë të ndryshme e të rënda, me stres e me peripeti të tjera, përse vallë nuk e vejmë gishtin në kokë e të mendojmë: përse veprojmë kështu?!

Një familje si zakonisht e ka të vështirë, t’i sigurojë apo kursejë 16000 EURO për tërë vitin, por në raste të ahengjeve dhe gazmendesh të ndryshme t’i shpenzojë për 4 orë. Ky është rasti te shqiptarët, të cilët dinë të punojnë, dinë të fitojnë, por nuk dinë të menaxhojnë vetveten, familjen dhe nuk dinë të menaxhojnë buxhetin personal dhe familjar.  Mendoj se shoqëria jonë, institucionet tona, mediat duhet ta kenë një rol më aktiv, një qasje tjetër kundrejt kësaj dukurie të shumëtuar që e ka pllakosur këtë shoqëri.