Samiti i dytë i Diasporës, dështon “takimi” mes Ramës dhe Bashës

01.03.2019 01:51:49

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, gjatë ceremonisë së mikpritjes së pjesëmarrësve në Pallatin e Kongreseve, u shpreh se nesër në Samitin e Diasporës do të diskutohet për shumë çështje që kanë lidhje me shqiptarinë.

Majko iu drejtua pjesëmarrësve dhe biznesmenëve, duke nënvizuar se ky samit është vendi ku takohen gjithë shqiptarët, pavarësisht shteteve dhe trevave ku jetojnë dhe kanë aktivitetin e tyre.

Të ftuar do të jenë shumë personalitete nga Kosova dhe Maqedonia. Ndërsa në agjendën e Samitit ishte i ftuar është edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Në agjendën e diskutimeve, Basha do të flasë i dhjeti, ndërsa shefi i qeverisë Edi Rama është i njëmbëdhjeti në listë.

Por në mbrëmje, përmes një statusi në Twitter, kreu i PD-së ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në këtë aktivitet mbarëkombëtar, duke dështuar kështu një “takim” të mundshëm me kreun e qeverisë.

Shefi i selisë blu shkruan se ndaj diasporës kemi një borxh të madh, ndërsa thekson se ai nuk mund ta pranojë kurrë përdorimin e saj si fasadë nga njeriu që mbushi Evropën me azilkërkues.

“Ne i kemi një borxh të madh diasporës, ndaj nuk mund të pranoj kurrë përdorimin e saj si fasadë nga njeriu që mbushi kampet e azilkërkuesve me 300 mijë shqiptarë duke i përzënë nga shtëpitë e tyre, ja nxiu faqen Shqipërisë me kanabisin dhe ja dorëzoi vendin oligarkëve dhe krimit”, shkruan Basha në Tëitter.

Ai pohon mes tjerash se Shqipëria ka nevojë të pakursyer nga Diaspora dhe Partia Demokratike është e hapur për të bashkëpunuar për ndërtimin e vendit dhe zhvillimin e tij, duke ndjekur vlerat demokratike.

“Shqipëria ka nevojë jetike për ndihmën dhe kontributin e diasporës. Unë dhe Partia Demokratike mirëpresim krahëhapur mbështetjen e saj dhe bashkëpunimin e ngushtë e të sinqertë për të ndërtuar në Shqipëri mundësitë, sigurinë, lirinë dhe vlerat që ata gëzojnë në vendet ku jetojnë” shkruan Basha më tej.