Samiti i “Open Balkan”, Rama pret Vuçiq dhe Zaev në Pallatin e Brigadave

21.12.2021 10:35:16

Pas darkës joformale në Elbasan, kryeministri Edi Rama priti sot në Pallatin e Brigadave në Tiranë presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev së bashku me delegacionet shoqëruese.

Në takimin e sotëm udhëheqësit e të tre vendeve, shoqërohen dhe nga anëtarë të kabineteve qeveritare si dhe sipërmarrës. Eshtë njoftuar po ashtu dhe pjesëmarrja e James O’Brien, përfaqësues i Këshillit të Atlantikut.

Pak kohë më parë Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Presidenti Biden synon ta emërojë atë si koordinator për politikën e sanksioneve, në Departamentin e Shtetit, një post i lartë në rang ambasadori.

Në takim do të jetë gjithashtu dhe drejtuesi i Fondacionit për një Shoqëri të hapur, Alex Soros, ndërsa në seancën e hapjes do të ketë një fjalim të Komisionerit europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili do të ndërhyjë përmes një lidhjeje online.

Në përfundim të takimit, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kanë të bëjnë, me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Nisma Ballkani i hapur ka hasur në kundërshtitë e forta të qeverisë së Kosovës, ndërsa kanë refuzuar t’i bashkohen edhe Bosnja e Mali i zi, që po ashtu e shohin atë me skepticizëm. Kryeministri Edi Rama, një mbrojtës i flaktë i projektit, e sheh atë si një mekanizëm të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit, dhe një “projekt strategjik për interesat e Shqipërisë dhe tërë kombit shqiptar”.