SBASHK-u shpërfill kërkesën e ministrit të Arsimit, greva vazhdon

14.01.2019 23:08:53

Ministri i Arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi sot ka apeluar tek SBASHK dhe mësimdhënësit që t’i rikthehen procesit mësimor.

Sipas Bytyqit, greva po shkakton dëme tek nxënësit.

“E konsideroj që hapësira për zgjidhje ekziston. Kisha kërkuar nga SBASHK që t’i informojë mësimdhënësit se si po shkon procesi dhe nesër të fillojë mësimi që të mos dëmtohet shkollimi i të rinjve tanë”, ka thënë Bytyqi.

Përkundër thirrjes së ministrit, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se kjo grevë do të vazhdojë.

Jasharaj, ka thënë se pjesëmarrja në grevë e gati të gjitha shkollave në Kosovë, është treguesi më i mirë i suksesit të grevës së mësimdhënësve.

Ai në emisionin “Përballje” në RTV Dukagjini, ka thënë se SBASHK-u po kërkon trajtim më të dinjitetshëm në Ligjin e Pagave për punëtorët e arsimit.

“Te sektorët e tjerë ka rritje të dukshme të pagave… Ne nuk kemi kërkuar ngritje të pagave me shifra. Kemi kërkuar që ligji të na sheh të barabartë me sektorët e tjerë. Irritimi më i madh të arsimtarëve ka ardhur si pasojë e lëvizjes së fshehtë të koeficientit te sektorët tjerë”.

Kryetari i SBASHK-ut deklaroi se me tre shtator arsimtarëve iu bë një goditje kur u përpilua Ligji i Pagave.

“Kemi pritur prindërit madje edhe OJQ-të që të na japin përkrahje, por kjo përkrahje nuk na u dha”, tha kryesindikalisti i arsimit.

Jasharaj ka thënë se në marrëveshjen e nënshkruar para zgjedhjeve me koalicionin e tanishëm qeveritar nuk është përmendur ngritja e pagave.

“Ramush Haradinaj është gjallë. Nuk është e vërtetë që greva e jonë ka lidhje me marrëveshjen që kemi bërë me PAN-in”, tha ai.