Scott: BE po e kryen punën mirë, SHBA-ja nuk përfshihet në dialog

29.04.2018 23:06:10

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, ka deklaruar se nuk mund të flitet për një zgjidhje afatgjate të “nyjës kosovare” pa bisedime direkte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së Uashingtonit në dialog pasi ky proces, sipas tij, është duke u udhëhequr nga BE-ja në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai në një intervistë për Telegraf TV tha se vendi i tij do të bëjë gjithë atë që është në fuqinë e tij dhe të propozojë gjërat, ose të qetësojë situatën kur të jetë e nevojshme, por në fund të fundit duhet të ketë një marrëveshje të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Kosova dhe Serbia duhet të marrin parasysh gjendjen reale dhe të vijë deri te kompromisi, dhe kjo është e mundur vetëm në qoftë se ka një dialog i hapur,” tha ai, duke shtuar se nuk mendon vetëm për dialogun ndërmjet dy palëve, por edhe brenda çdo shoqërie, transmeton KosovaPress.

“Cilat janë interesat më të mëdha? Interesat janë punësimi dhe rritja ekonomike, dhe kjo do të vijë kur të keni një marrëveshje dhe një normalizim të marrëdhënieve”, shprehet diplomati amerikan.

Siç tha ai, do të ketë kritika, do të ketë në Prishtinë, por qëllimi dhe sfida më e rëndësishme për të gjithë është tejkalimi i këtyre kushteve politike dhe sjellja në një mënyrë shtetërore. Sipas diplomatit amerikan, nuk ka nevojë që SHBA të përfshihet në dialog.

“Nëse të gjithë na kërkojnë të përfshihemi më tepër, do të jemi gati, por ne mendojmë se BE po bën një punë të mirë tani për tani dhe ne vetëm duam të ndihmojmë”, tha ambasadori i SHBA-së.

I pyetur se si Ballkani mund të largojë epitetin ‘fuqi baruti’, diplomati amerikan tha se kjo varet nga liderët e rajonit dhe se ata janë kryesisht politikanë të përgjegjshëm, të cilët do të flasin për të ardhmen dhe jo për të kaluarën.