Se shpejti gara për balotazh, partitë ende pa vendime se kë do...

Se shpejti gara për balotazh, partitë ende pa vendime se kë do ta mbeshtesin

27.10.2017 12:53:24

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale janë 19 komuna të cilat kanë shkuar në garën e balotazhit, ndërkaq subjektet politike ende nuk kanë vendosur se kënd do ta mbështesin në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve.

 

Kështu kanë deklaruar disa nga zyrtarët e partive politike, të cilët janë shprehur se janë duke shqyrtuar mundësitë e përkrahjes së ndonjërit nga kandidatët në ato komuna ku ata nuk garojnë.

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi tha se ende nuk kanë marrë vendim.

“Ne nuk kemi bërë marrëveshje paraprake dhe ende nuk kemi vendosur për të përkrahë  rreth kësaj çështje.

“Ende jemi duke i diskutuar komunat veç e veç dhe po i shqyrtojmë propozimet e degëve tona në lidhje me mbështetjen potenciale që mund t’ua ofrojmë kandidatëve të caktuar në komunat ku ne nuk reagojmë në raundin e dytë” u shpreh Krasniqi.

Në të njëjtin pozicion janë edhe në Nisma për Kosovën. Sekretari i këtij subjekti, Bilall Sherifi ka thënë se javën e ardhshme mund të dalin me një vendim për secilën komunë.

“Jemi duke u konsultuar me degët tona, dhe besoj se javën e ardhshme do të dalim me qëndrime për secilën komunë veç e veç, nuk do të kemi qëndrim të njëjtë për të gjitha komunat, por varësisht nga kandidati”, tha Sherifi.

E, sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se do të bashkëpunojnë me atë i cili do ta përkrah vizionin e këtij subjekti.

“Ende nuk kemi vendosur do t’i shqyrtojmë mundësitë, kryesore ka me qenë se kush e përkrah më shumë vizionin tonë”, ka thënë Makolli.

Të njëjtat qëndrime do të merren edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve LDK garon në nëntë komuna, PDK në shtatë, Vetëvendosje në gjashtë komuna, AAK në gjashtë komuna dhe AKR e Alternativa në nga një komunë.