Sefaj: Rusia dhe Serbia po e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

27.02.2018 14:29:36

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj sot raportoi para Komisionit për Punë të Jashtme, Lidhur me procesin për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL me ç’rast tha se Serbia dhe Rusia janë duke ndikuar negativisht në anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, transmeton “Zeri.info”. 

Ai theksoi po ashtu se Kosova vitin e kaluar ka shtyrë votimin për anëtarësim në INTERPOL. ” Serbia dhe Rusia në bashkëveprim edhe me të tjerat janë duke ndikuar.

Ndërsa pas një analize që kemi bërë të gjithë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar kemi sygjeruar që të kerkojmë shtyrjen e votës. Mosdefinimi i qart i disa kritereve për pranim në këtë organizatë dhe mungesa e votave kanë qenë arsyet e shtyrjes”, tha ai.

Sefaj deklaroi se po lobohet për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Ndërsa, Vjosa Osmani tha se ka dallime në lidhje me numrin e shteteve që janë pro anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Ka shtete që për arsye politike kanë vendosur të mos ta përkrahin Kosovën në UNESCO por ta përkrahin për në Interpol. Nga ish ministri kemi kuptuar se 80 vota janë për anëtarësim të Kosovës, ndërsa tani thuhet se janë 40 vota për”, tha ajo.

Drejtori i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Veton Elshani tha se pasi që Kosova të hyjë në agjendën e Interpolit, do të involvojnë të gjithë partnerët që nuk janë aty, përcjell zeri.info.

Sipas tij, nga dy e treta e votave në votimin e kaluar, Kosova dilte më minus gjashtë vota.

“Në vitin 2015 kemi qenë më shumë të involvuar rreth kësaj çështje. Ne fituam optimizëm kur filluam me marrë përgjigje pozitive nga vendet që nuk na kanë njohur. Ne nuk kemi pas mundësi as me llogarit sa vota i kemi. Ne jemi bazuar tek votat që kemi marrë në UNESCO”, tha.