Sekretari Amerikan i Mbrojtjes thotë se FSK duhet të bëhet Ushtri e...

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes thotë se FSK duhet të bëhet Ushtri e Kosovës (Dokument)

28.01.2017 09:56:11

Frikën se nën udhëheqjen e Donald Trump-it administrata amerikane do te ndryshojë politikat në Kosovë e ka shuar sekretari i ri i Mbrojtjes, James Mattis në një dëshmi me shkrim për Senatin.

Kjo mund të kuptohet edhe në një dokument 56 faqesh si pjesë e Reformës së Mbrojtjes ku Sekretari i Mbrojtjes,  James Mattis, shkruan se Kosova duhet të formojë ushtrinë e saj dhe se Serbia besohet ta njohë Kosovën para se të dyja bashkë të futen në Bashkimin Europian.

“Kosova është një shembull që tregon se çfarë ndodh kur komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkushtohet në mbrojtjen e vlerave dhe interesave të veta. Në përgjithësi, atje do të rekomandoja reduktime (të trupave) konform situatës së sigurisë në terren, por për momentin, KFOR qëndron vendimtar që të sigurojë stabilitetin në regjion. Për më tepër, para se te reduktohet prezenca ushtarake e SHBA-ve në Kosovë, Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të marrë mandat për sigurimin dhe mbrojtjen territoriale, një ndryshim që do të kërkojë edhe ndryshime kushtetuese me mbështetjen e Parlamentit”, shkruan Mattis i pyetur se si duhet të veprojë tutje SHBA me prezencën e saj ushtarake në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Ai vazhdon duke lavdëruar përpjekjet e Bashkimit Europian në raport me Kosovën dhe Serbinë, ndërsa pohon se Serbia pritet ta njohë Kosovën para anëtarësimit në BE.

“Përpjekjet e Bashkimit Europian janë esenciale për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës, dhe përfshirja e mëtejme duhet të inkurajohet. BE veçmas po luan një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë me përpjekjen për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut.  Dialogu mundëson dy vendet të lëvizin përpara me planet e tyre për anëtarësim në BE, në kuptueshmërinë se njohja e sovraniteti të Kosovës nga Serbia do të adresohet para anëtarësimit”, ka shkruar ai.