Selimi pas publikimit të bisedave të Zaevit: Presidenti Thaçi po e shtynë ndikimin rus në Kosovë e rajon

10.07.2019 13:22:57

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi në një konferencë për media ka thënë se pas publikimit të video-incizimit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev me dy komikët rusë, shihet qartazi se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka plane të fshehta për ndarjen e Kosovës.

Selimi tha se presidenti i vendit për idenë e ndryshimit të kufijve, po vepron sipas skenarit të Moskës.

“Me qindra herë kemi paralajmëruar se Vuçiq ka plane të fshehta për ndarjen e Kosovës, kemi thënë se ekzistojnë ato plane të cilat qëllimisht po mbahen fshehtë nga qytetarët. Kemi thënë që të gjitha bisedimet dhe marrëveshjet eventuale me Serbinë po vazhdojnë të janë të fshehura dhe njëkohësisht kundër interesit të qytetarëve të Kosovës. Mbase kjo është edhe arsyeja kryesore pse këto janë të fshehta, edhe aleatët tanë kanë shprehur shqetësimin për ndikimin rus në rajon dhe në Kosovë, tash duhet të dalin incizimet të fshehta që ne të kuptojmë të vërtetën se çfarë po ndodhë me ne dhe rreth nesh. Këto biseda që duket se janë bërë në vjeshtën e kaluar. Presidenti i Kosovës për idenë e ndryshimit të kufijve, po vepron sipas skenarit të Moskës, paramendojini  kryeministri i Maqedonisë shpreh shqetësim për Kosovën, Zaev shprehet i informuar mirë për  këto plane që kanë të bëjnë më ndarjen e Kosovës”, ka thënë Selimi para mediave.

Selimi tha se Presidenti Thaçi po e mashtron popullin e Kosovës dhe po e shtynë agjendën ruse në rajon.

“Duke bërë marrëveshje të fshehtë, duke i nderuar fjalët, Thaçi po e shtynë agjendën ruse në rajon, Së fundmi Gjykatë Kushtetuese e ndal Thaçin nga dialogu me Serbinë, por kjo nuk i mjaftojë, këtë njëri duhet ta ndalim të gjithë, sepse ai nuk mund ta përfaqësoj Kosovën”, u shpreh ai.

Deputeti Selimi tha se Thaçit duhet t’i ndalohet ta përfaqësojë Kosovë.

“Bëjmë thirrje forcave politike që sa më shpejtë të shkojmë në zgjedhje. Thaçi i ka përpara planet serbo-ruse, zgjedhjet e menjëhershme janë zgjidhja e vetme”, tha Selimi.

Ai konsideron sa më shumë vonohen zgjedhjet aq më shumë dëmtohet Kosova.