Serbi i akuzuar për krime lufte në Kosovë mbrohet me heshtje

13.12.2017 18:55:37

Prokurori special i EULEX-it për krime lufte Paul Flin, e ka marrë në pyetje Darko Tasiqin, të dyshuarin për krime lufte kundër popullatës civile dhe në kuadër të ngjarjeve në Krushë të Vogël.

Darko Tasiq, siç përcjell Radio Kim, me babanë dhe vëllanë, ka marrë pjesë në zjarr vënien dhe në plaçkitjen e më shumë se 100 shtëpive në këtë fshat si dhe për deportimin e fëmijëve dhe grave shqiptare në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë.

“Me këshillën time, Tasiq sot është mbrojtur me heshtje. Prokurori Special Flin për fillim të janarit, ka paralajmëruar marrjen në pyetje të dëshmitarëve në Krushë të Vogël duke theksuar se nuk mund të garantojë sigurinë e të dyshimtit gjatë këtyre punimeve, ashtu që në hetimet e mëtejme vetëm unë do të marr pjesë në bisedimet e prokurorit me dëshmitarët”, ka deklaruar avokati i Tasiqit Dejan A. Vasiq.

Tasiqit sot i është zgjatur edhe për një muaj paraburgimi.

Tasiqi është arrestuar në muajin shkuar nga Policia e Kosovës.

Është arrestuar në vendkalimin kufitar Bërnjak, rrugës nga Rozhaja për në Zubin – Potok.

Tasiq është njëri nga serbët emri i të cilëve gjendet në regjistrin e personave të dyshuar për krime lufte në Kosovë.