Serbia kërkon nga Britania e Madhe ta mbështes një zgjidhje të drejtë për Kosovën

02.10.2017 18:50:50

Kryetari i grupit parlamentar të miqësisë me Mbretërinë e Bashkuar, Dejan Radenkoviq i ka bërë thirrje një delegacioni të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar që ky shtet të mbështet një zgjidhje të drejtë për Kosovën.

“Kosova e pavarur nuk është një zgjidhje por një problem që në thelb krijon fraktura të mëdha dhe pretendime territoriale jo vetëm në Serbi, por edhe në të gjithë rajonin. Për Serbinë, pozita e Mbretërisë së Bashkuar është shumë e rëndësishme në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit e cila synon të arrijë stabilitetin dhe pajtimin e dy popujve, serbëve dhe shqiptarëve. Është shumë e rëndësishme që popullata serbe që jeton në Kosovë të siguroj paqe, siguri dhe zgjidhjen e çështjeve të jetës së përditshme”, ka thënë Radenkoviq drejtuar parlamentarëve të Britanisë së Madhe, transmeton lajmi.net.

Ai ka theksuar se Asambleja Kombëtare ka konsensus kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të Serbisë duke shtuar se deri më tani ka hapur 10 kapituj negociues.

Radenkoviq ka thënë se Serbia njihet si një vend kyç i stabilitetit në rajon dhe se përparimi i Serbisë në rrugën drejt BE-së është i qartë dhe i dukshëm.

Kreu i delegacionit, zëvendësi i dhomës së ulët të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, John Vitingdejl ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është jashtë Bashkimit Evropian mirëpo e mbështet rrugën evropiane të Serbisë.

Përfaqësuesit e UK-së ishin të interesuar për sfidat që përballet Serbia në rrugën drejt BE-së dhe anëtarët e grupit parlamentar të miqësisë janë pajtuar se zgjidhja e statutit të Kosovës është një nga sfidat kryesore.