Shala: Procedimi i Projektligjit për shndërrimin e FSK-së nga Qeveria, nuk u bë pa pajtimin e partnerëve ndërkombëtarë

18.09.2018 15:09:55

Procedimi i Projektligjit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri nga Qeverisë në Kuvendin e Kosovës do të shkojë deri në fund.

Kështu ka theksuar kryetari i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala.

Ai ka thënë për Telegrafin se deri më tani ata si komision nuk e kanë pranuar këtë projektligj.

“Por kur të vijë, ne do ta procedojmë për ma tutje në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar Shala.

Ai tha se beson se do të kalojë në Kuvendin e Kosovës transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, sepse sipas tij, kjo gjë është në interes të vendit.

“Unë mendoj se Qeveria dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MSFK) nuk ka ndërmarrë diçka e duke mos e pasur pajtimin e partnerëve ndërkombëtarë”, ka theksuar Shala.

Ndryshe, ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Ishte ministri i FSK-së, Rrustem Berisha që e kishte bërë këtë propozim në mbledhjen e ekzekutivit kosovar.

Me këto projektligje, FSK-ja pritet të marrë detyra të reja dhe Ministria e FSK-së të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes.